Kurti: Ende s`ka përfunduar dita për dërgimin e propozimeve për dinarin në Bruksel
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka treguar nëse janë dërguar në Bruksel propozimet për dinarin.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se ende nuk ka përfunduar afati për dërgimin e propozimeve.
“Ende nuk ka përfunduar dita e sotme e për dërgimit të propozimeve tona. Duhet ta keni parasysh një gjë, rregullorja BQK-së është e panegociueshme, është vendim plotësisht i pavarur i këtij institucioni të pavarur të shtetit tonë. BQK është edhe lartë edhe përpara, edhe sipër nesh edhe na prinë. Përveç që kanë marrë një rregullore të re nga 27 dhjetori vendim plotësisht të pavarur, ata kanë ofruar edhe një plan 10 pikësh për tranzicion të lemushem tre mujore”, ka thënë Kurti.
Ai ka bërë me dije se në këtë çështje vagon i parë është BQK-ja dhe jo Qeveria.
“Nëse ka pasoja në terren që kanë të bëjnë me resorët e ekzekutivit ne do t`i përgjigjemi gjithashtu. Pra, ne nuk jemi as lokomotiva e as vagoni i parë në këtë punë. Ne jemi vagoni i dytë, nëse ka ndonjë të moshuar serb që për 24 vjet s`ka pa kurrë euro, vetëm dinar dhe vetëm kesh, ne nuk dëshirojmë që ajo ose ia të ngelet keq. Dhe për këtë si qeveri e republikë do të shprehim gatishmërinë për të ndihmuar. Por i vetmi mjet pagese, sipas nenit 11 të Kushtetutës është euro. dinarët kesh në thash te furgonave nuk mund të kalojën kufirin”, ka thënë Kurti.
Ai ka bërë me dije se dialogu me Serbinë nuk ka qenë prioritet asnjëherë për të.
Sipas tij, dialogu më shumë iu ka marrë kohë gazetarëve se Qeverisë.
“Dialogu më shumë ju ka marrë kohë juve se neve. Neve na ka marrë kohë qeverisja e mirë. Çka merr vëmendje mediale e ndërkombëtare nuk është përgjegjësi jona. Dialogu është prioritet i katërt. Pandemia, punësimi e drejtësia kanë qenë tri prioritetet e para. Nuk është që dialogu na ka marrë kohë sa mendoni ju. Do të ishte mirë që të na merrte më pak kohë”, është shprehur ai.
Shefi i ekzekutivit ka bërë me dije se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë nuk është në dorën e tij.
“Normalizimi i marrëdhënieve s’është veç në dorën tonë. Unë e kam pranuar marrëveshjen për normalizim bashkë me aneksin e saj, që është arritje e madhe e politikës së jashtme të Kosovës. Por ajo marrëveshje po shkelet vazhdimisht nga zyrtarët serbë”, është shprehur Kurti.