Kurti e pret Atiqin në mëngjes pune, zyra e tij tregon çka u diskutua
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me ministrat Nenad Rasiq e Elbert Krasniqi kanë pritur sot në një mëngjes pune kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, nënkryetaren Katarina Adanciq dhe drejtorë komunalë.
Sipas Zyës së Kryeministrit, në takim është folur për qeverisjen lokale e bashkëpunimin me nivelin qendror.
“Kryeministri Kurti dhe ministrat Rašić dhe Krasniqi u njoftuan rreth punëve të drejtorive, shërbimeve komunale të cilat po shtohen në vazhdimësi, investimeve në mirëmbajtjen e rrugëve e hapësirave publike dhe bashkëpunimit me agjencitë qendrore. Nga drejtorët komunalë u veçua progresi dhe përgatitjet për fillimin e procesit të legalizimit të objekteve dhe hartimit të planit zhvillimor, krijimi i databazës për rastet sociale që kanë nevojë për mbështetje institucionale, rekrutimi i stafit të ri profesional, funksionalizimi i zyrës komunale të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, ku deri më tani janë regjistruar 89 biznese, pastaj funksionalizimi i intranetit dhe fillimi i digjitalizimit të arkivës si dhe planet për ofrimin për herë të parë të shërbimeve digjitale përmes e-kioskut.” – thuhet tutje.
Në takim, shkruan se është diskutuar edhe rreth mundësive për bashkëpunime të reja mes komunave në veri të vendit.
“Kryeministri Kurti i përgëzoi drejtuesit dhe stafin e Komunës së Mitrovicës së Veriut për punën dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarë, pa dallim, për përbërjen multietnike të kabinetit qeverisës dhe për bashkëpunimin e mirë e profesional me ministritë dhe Zyrën e Kryeministrit në realizimin e projekteve në interes të komunës. Ai i ofroi kryetarit Atiq dhe nënkryetares Ađančić, mbështetjen e plotë të tij edhe të ministrive të linjës në adresimin e kërkesave dhe propozimeve të tyre që për qëllim kanë zhvillimin ekonomik e social të Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe rritjen në cilësi dhe efikasitet të shërbimeve ndaj qytetarëve”.