"Kurti e pranoi që biseda e Kusarit me Radoiçiqin është gabim, atëherë pse nuk po vepron?" - NACIONALE

"Kurti e pranoi që biseda e Kusarit me Radoiçiqin është gabim, atëherë pse nuk po vepron?"

2 vjet më parë

nga NACIONALE

“Alo zemlajke” – është një nga fjalët që ka hasur në përdorim të gjerë këto ditë në Kosovë. Krejt kjo pasi Nacionale publikoi bisedën telefonike të shefes së deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila me kriminelin serb, Milan Radoiçiq. E për këtë bisedë ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Sipas ish-kryetarit të VV-së, Visar Ymeri, Kurti e pranoi që biseda me Radoiçiqin është gabim. Ymeri ka kërkuar veprimin e Kurti për këtë.

Analisti i Debat Plusit dhe ish-kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka komentuar qëndrimin e kryeministrit, Albin Kurti për bisedën e shefes së deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila me kriminelin, Milan Radoiçiq.

Ymeri ka thënë se Kusari-Lila do të duhej të jepte dorëheqje ose i hapë rrugë shkarkimit nga Kurti.

Unë nuk besoj që Mimoza Kusari është informuar tani se ka biseduar me Radojçiqin. Ajo duhej të kishte dhënë dorëheqjen atëherë, ose Albin Kurti, i cili gjithashtu e ka ditur që nga fillimi se Mimoza Kusari ka folur me Radojçiqin, duhej ta largonte.” – ka thënë ai në Debat Plus.

Mirëpo, sipas Ymeri më me rëndësi është që Kurti e ka pranuar se biseda është “gabim”.

Ymeri këtë e ka shpejguar duke u bazuar në deklarimin e Kurtit që tha se po të ishte anëtare e VV-së, Kusari-Lila do të dërgohej në Komisionin Disiplinor të partisë.

Në komision disiplinor çon dikë që ka bërë gabim, nuk çon dikë që ka punuar mirë. Kurti e pranoi që kjo është gabim, atëherë pse nuk po vepron?” – ka thënë Ymeri.

Më tej, ai ka shtuar se pushtetit ka tentuar që përmes gënjeshtrave të mbulojnë skandalin.

Pra, në momentin e parë që u doli se është një bisedë telefonike mes Kusarit dhe Radojçiqit, ata kanë dalë dhe kanë gënjyer, duke thënë se nuk ka bisedë. Ata janë nisur nga ideja që kjo është një gabim i madh dhe kanë tentuar ta mbulojnë me gënjeshtra. Fillimisht kanë thënë se nuk është e vërtetë dhe pastaj kanë gënjyer për mënyrën se si është zhvilluar biseda.” – ka thënë ai.

Tutje, Ymeri beson që edhe Kurti është përgjegjës dhe se ai e ka mbrojtur Kusari-Lilën, pasi sipas tij, Kurti i beson asaj.

Mimoza Kusari nuk është aty rastësisht. Mbrojtja që i ka bërë Albin Kurti Mimoza Kusarit që nga fillimi nuk është e rastësishme dhe nuk bëhet mbrojtje për një person të cilit ai nuk i beson. Unë mendoj se këtu ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë nga Kurti.” – ka thënë ai.

Çka tha Kurti?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pasur disa kundërthënie gjatë komentimit të bisedës së Kusarit me Radoiçiqin.

Ndonëse e ka pranua se nuk e ka dëgjuar bisedën në fjalë, ai ka thënë se situata është e montuar.

Unë vetë nuk i kam dëgjuar; mirëpo qytetarët e Kosovës e dinë kush ka bashkëpunuar me Radojçiqin, dhe e kanë shumë të qartë se pse Radojçiqi ik tash e dikur ishte në kryeministri. Për këtë zëdhënësi i VV-së e ka dhënë përgjigjen e saktë”, ka thënë Kurti.

Vetëm pak sekonda më pas, ai vlerëson se biseda është e montuar.

Ajo është një situatë e montuar dhe Radojçiqi këto 9 muaj ndodhet i lirë dhe trysnia në Kosovë duhet të jetë që ndaj tij të ketë aktakuzë dhe të jetë i arrestuar” – ka thënë ai.

Krejt në fund të përgjigjes, Kurti e di edhe se biseda është me sekonda. Pra, a e ka dëgjuar apo jo kryeministri bisedën?

Po e kuptoj që po përpiqeni të dramatizoni me çdo kusht disa sekonda prej një bisede që nuk e di se si e ku është marrë e si u pre e nga kush u organizua, por, edhe njëherë unë jam kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Mimoza Kusari-Lila nuk është anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje; edhe po të ishte anëtare për këso gjëra ka komision disiplinor, sepse VV-ja s’e ka kryetarin diktator që merr ashtu vendime.” – ka thënë Kurti të martën.

Çka publikoi Nacionale?

Sllavko Simiq: Kolege, kam ardhë te Milani, dëgjohu me të.

Mimoza Kusari-Lila: Në rregull.

Millan Radojçiq: Alo zemlajke, a po nihemi?

Mimoza Kusari: Po, po të dëgjoj.

Milan Radojçiq: Qysh je qysh po kalon?

Mimoza Kusari: Qe, qe në Kuvend i kam pasë disa takime. Tash u lirova, po shkoj në shtëpi.

Kjo është një pjesë prej më pak se 1 minut e bisedës në mes të shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari dhe Millan Radojciq, e zhvilluar me ndërmjetësim të Sllavko Simiq nga Lista Serbe.

Për më shumë, shikojeni videon:

Lajme të ngjashme