Kurti e përmend Thaçin: Katastrofë, për letrën e tij FSK-ja s’e kalon Ibrin
Kryeministri Albin Kurti ka përmendur edhe një herë letrën që ish-kryeministri Hashim Thaçi ia kishte dërguar shefit të NATO-s në vitin 2013, për mosdërgimin e FSK-së në veri pa leje të KFOR-it.
Kurti në Kuvendin e Kosovës ka thënë se ajo letër është “katastrofë”.
“Ajo që e tha ministri Aliu, kufirin e kemi shumë të gjatë me Serbinë. Në Leposaviq, e në Zubin Potok e Zveçan, duhej me e ru ushtria, por më 19 prill 2013, kryeministri Thaçi ia ka dërgu një letër ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, që FSK-ja s’e kalon Ibrin. Katastrofë është qajo letër, unë jam i kushtëzum në raportet me NATO-n për shkak të asaj letre.” – tha ai.
“Trego a është gabim a në rregull qajo letër, kufirin nuk ta mbron policia si ushtria. Mos të ishte ajo letër, ne e kishim pas FSK-në në veri, nuk e kemi, por na duhet me këto vegla e mjete ta bëjmë maksimumin.” – shtoi tutje Kurti duke iu drejtuar deputetit të PDK-së, Ferat Shala.