Kurti e paraqiti zhvendosjen e zyrave të një kompanie si "hapje e qendrës së re"
Në një përpjekje për të devijuar vëmendjen nga kriza që po kërcënon qindra punëtorë të sektorit privat – pasojë direkte e kalimit të nxituar në tregun e lirë të energjisë – deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e trumpetoi zhvendosjen e zyrave të një kompanie që veçse operonte prej vitesh në Mitrovicë, si një investim të ri dhe transformues për qytetin.
“Hapja e qendrës së re të kompanisë Concentrix në Mitrovicë është një investim në njerëzit tanë, në të ardhmen e qytetit dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës. Kjo ngjarje është më shumë sesa një zgjerim i operacioneve të një kompanie globale me renome në vendin tonë; ajo është një dëshmi e besimit në kapacitetet e qytetarëve tanë, në aftësitë e të rinjve tanë dhe në drejtimin që ka marrë shteti ynë.” – shkroi Kurti në një postim në Facebook dy ditë më parë.
Megjithatë, Nacionale ka mësuar se kompania në fjalë kishte kohë që operonte në këtë qytet dhe i vetmi ndryshim real ishte zhvendosja në një objekt të ri, një ngjarje që Kurti e shiti si “hapje e qendrës se re”.
Tentativa për të ndërtuar një iluzion progresi vjen në një periudhë kur ish-qeveria Kurti 2 – që vazhdon të merr vendime si një qeveri me mandat të plotë – po kritikohet masivisht nga ekspertët e ekonomisë për mënyrën e papërgjegjshme dhe të paorganizuar me të cilën është menaxhuar tranzicioni drejt tregut të lirë të energjisë.
Sipas Odës Ekonomike Amerikane, të paktën dy kompani prodhuese tashmë kanë pezulluar aktivitetet e tyre si pasojë e detyrimit të kalimit në tregun e lirë të energjisë. Nacionale mësoi ditë më parë se dhjetëra punëtorë janë lënë në një situatë pasigurie, pasi biznesët kanë kërkuar nga stafi të qëndrojë në shtëpi “deri në një njoftim të dytë”.
OEAK citoi shqetësimin e shprehur nga vetë Bashkimi Evropian se dalja në treg të lirë duhet të jetë “graduale dhe e menaxhuar” dhe jo thjesht-ashtu.
“Barrë e papërballueshnme për bizneset e mëdha”, thanë nga Oda Ekonomike Amerikane në një kumtesë për media ku i kërkohet ZrrE-së “ta ndërpresë urgjentisht procesin” deri në përmbushjen e parakushteve thelbësore të vendimit.
“Paralajmërimet e përfaqësuesve të sektorit privat tashmë po bëhen realitet, meqë pak ditë prej kur ka hyrë në fuqi liberalizimi i tregut, të paktën dy kompani prodhuese kanë njoftuar pezullimin e operacioneve, duke përmendur kostot e energjisë elektrike dhe paqëndrueshmërinë e krijuar si arsye kryesore, ndërsa institucionet shtetërore janë informuar për këto zhvillime. Kjo konfirmon se liberalizimi, siç ka nisur të zbatohet, nuk është vetëm i parakohshëm, por po dëmton edhe aktivitetin ekonomik të Kosovës dhe klimën e investimeve”, thanë OEAK.