Kurti e mbush 2/3 e mandatit: Liberalizimi i vizave, meritë e jona
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në hapje të mbledhjes së sotme të Qeverisë, ka deklaruar se sot bëhen 32 muaj ose 2/3 e përmbushjes së mandatit.
Para ministrave të tij, ai deklaroi se kjo tregon që koha për t’i përmbushur zotimet, sa vjen e pakësohet.
“Sot bëhen 32 muaj prej ditës së parë të Qeverisjes sonë, apo dy të tretat e mandatit katër vjeçar. Janë data si këto që na shërbejnë si moment reflektimi mbi atë që kemi arritur. Por edhe na tregojnë se koha për të përmbushur zotimet tona dhe për të respektuar pritjet e qytetarëve tanë brenda mandatit të parë, sa vjen e pakohet.” – u shpreh ai.
Kurti mes tjerash, deklaroi se çdo ditë po u rikujtohet se çfarë nuk kanë bërë, kështu që ai, përmendi disa gjëra që sipas tij, janë realizuar.
“Meqë çdo ditë na rikujtohet se çfarë nuk është bërë e çfarë ka mbetur të bëhet, sot po shfrytëzoj të përmend disa gjëra, jo të gjitha çfarë kemi bërë.” – u shpreh ai.
Derisa po përmendte të arriturat, Kurti e cilësoi si meritë të qeverisjes së tij edhe liberalizimin e vizave.
“Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, pasaportja jonë do të jetë shumë më e fuqishme, sepse hyn në fuqi vendimi i BE-së për liberalizimin e vizave. Kjo arritje përveç meritë e qytetarëve tanë, është rezultat i ligjshmërisë, reformave, lufitimit të korrupsionit e i qeverisjes tonë të mirë me imazh të lartësuar ndërkombëtarisht.” – u shpreh ai.