Kurti: Dialogu publik privat i strukturuar mirë mund ta transformojë ekonominë tonë - NACIONALE

Kurti: Dialogu publik privat i strukturuar mirë mund ta transformojë ekonominë tonë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në takimin e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investim, ku u diskutua rreth lidhjeve ndërmjet sektorit publik dhe privat, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar “rëndësinë e një dialogu që forcon besimin ndërmjet sektorit privat dhe atij publik.”

Kreu i qeverisë ka thënë se “besimi është armatura në themelin tonë ekonomik”, dhe se përmes tij “mund të ndërtohen gjëra të mëdha”.

“Para së gjithash, një dialog i fuqishëm publik privat forcon besimin ndërmjet sektorit privat dhe atij publik. Besimi është armatura në themelin tonë ekonomik. Me të, ne mund të ndërtojmë gjëra të mëdha. Pa të, edhe planet më të mira dështojnë. Përmes dialogut, ne identifikojmë mundësitë e zhvillimit të sektorit privat, duke rritur investimet e huaja direkte, duke shtuar eksportet dhe duke ngritur konkurrencën e përgjithshme të bizneseve nga Kosova. Imagjinoni mundësitë kur bashkojmë pikat tona të forta dhe ndajmë një vizion të përbashkët”, ka thënë Kurti gjatë fjalës së tij.

Kurti u bëri thirrje bizneseve që të vazhdojnë e forcojnë edhe më tej bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

“U bëj thirrje bizneseve tona më konkurruese, shoqatave të biznesit dhe projekteve të financuara nga donatorët që të vazhdojnë e forcojnë edhe më tej bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Së bashku, ne mund të zhvillojmë plane strategjike dhe operacionale që rrisin investimet e huaja direkte, eksportet dhe nxisin zhvillimin efektiv të biznesit”, tha ai.

Ai ka thënë se qeveria ka “identifikuar mbi 6 miliardë euro nevoja për investime për infrastrukturë të re ose për ta përmirësuar atë ekzistuese publike.”

Kreu i qeverisë përmendi edhe vlerësimin kreditor nga Fitch Ratings duke thënë se kjo arritje do t’i ndihmojë Kosovës “të rrisë investimet e huaja, të përmirësojë qasjen në tregjet globale të kapitalit dhe do të nxisë edhe më tej rritjen ekonomike të vendit.”

Lajme të ngjashme