Kurti dhe ShBA ndër vite: Çka thonin ambasadorët amerikanë për VV-në? - NACIONALE

Kurti dhe ShBA ndër vite: Çka thonin ambasadorët amerikanë për VV-në?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kritikat e aleatit më të madh të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë ashpërsuar secilën herë e më shumë gjatë qeverisjes së Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Përgjatë viteve, partisë në pushtet nuk i doli problem vetëm me Donald Trumpin e Richard Grenell, por së fundi thanë fjalë edhe kundër administratave Obama e Biden.

Se VV-së nuk iu përshtat asnjëra nga administratat amerikane, e shpjegon edhe kjo deklaratë e dhënë para pak ditësh nga nënkryetari i kësaj partie, Glauk Konjufca:

“Administrata e presidentit Biden, ma merr mendja, që kjo rrjedh prej administratës së presidentit Obama, këto në relacion me Kosovën, këta dy presidentë të shumë respektuar të Amerikës, prej vitit 2011, e kanë pasur një qasje ndaj Kosovës, e cila me thënë të drejtën, Kosovën e ka vendosur në situatë të disfavorshme ndaj Serbisë, këtë jemi dëshmitarë të gjithë. Pikërisht, administrata e presidentit Obama dhe Biden, dhe neve gjatë kësaj kohe, na kanë ndodhur disa çështje që i ka shty Serbia, që shumë e kanë dëmtuar reputacionin e Kosovës”.

Historia e marrëdhënieve Kurti-ShBA

Në një opinion të shkruar së fundi, ish-kryediplomati Petrit Selimi ka shpjeguar historikun e marrëdhënieve të Kurtit me ShBA-në, që sipas tij, përfshin plot tri dekada, transmeton Nacionale.

Aty përmenden diplomatë e ambasadorë të njohur amerikanë, dhe deklaratat e tyre ndër vite për Lëvizjen Vetëvendosje.

2007 – Diplomatja e lartë amerikane që udhëheqte para pavarësisë Zyrën e ShBA-së në Prishtinë, Tina Kaidanow, e emëruar nga presidenti George W Bush), quante veprimet e Kurtit “jo vetëm të rrezikshme, por vdekjeprurëse, dhe ai premton të vazhdojë të jetë një forcë destabilizuese në Kosovë”.

2010 – Ambasadori amerikan, Chris Dell, i emëruar nga presidenti Obama, refuzoi ta takojë Vetëvendosjen gjatë mandatit të tij duke thënë “VV nuk po tregon se është e përkushtuar në proceset demokratike në Kosovë”.

2013 – Ambasadorja amerikane, Tracey Jacobson, e emëruar nga presidenti Obama u sulmua fizikisht gjatë protestave të Lëvizjes Vetëvendosje, duke çuar në një deklaratë të Ambasadës Amerikane: “ne dënojmë përdorimin e taktikave të dhunshme në pengimin e procesit demorkatik”. Ky sulm ishte bërë lajm ndërkombëtar, dhe pasi Kurti kishte hedhur poshtë këto akuza, ambasadorja amerikane kishte postuar foto të plagosjes së saj, ku shkruante “Vetëvendosje u përpoq të na ndalonte, por ne u futëm në përpjekjen tonë të dytë! të mavijosur”.

2017 – Ambasadori amerikan, Greg Delawie, i emëruar nga Obama, “u trazua” nga Vetëvendosje duke përdorur gaz lotsjellës brenda Kuvendit për të pënguar votimin për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke thënë: “Edhe një herë më duhet të them se jam i zhgënjyer që VV po përdor dhunën për të penguar demokracinë”.

2020 – Marrëdhënia përkeqësohet edhe më shumë, me Kurtin – i cili në mandatin e tij të parë si kryeministër në një koalicion me LDK-në – akuzoi publikisht administratën amerikane dhe drejtorin e intelegjencës kombëtare, të Donald Trump, Richard Grenell për një “grusht shtet” që solli rënien e qeverisjes së tij. Për herë të parë në historinë e Kosovës, senatorë dhe figura të tjera të rëndësishme brenda administratës Trump përmenden tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova. Senatori David Perdue shkruante: “Nëse Kosova nuk përkushtohet plotësisht për paqe, atëherë ShBA-ja duhet ta konsiderojë prezencën atje”.

2022 – Kurti mbështet Biden për president, duke thyer traditën e kahmotshme të politikanëve kosovarë që mbanë qëndrime dypartiake në politikën amerikane. Tensionet nuk u zvogëluan megjithatë, me senatorin Chris Murphy që i bëri thirrje Kurtit që “t’i ndalojë menjëherë provokimet”, ambasadorin Hill në Beograd që tha “Unë mendoj se ne kemi disa probleme shumë thelbësore me Kurtin, nëse mund të llogarisim ose jo tek ai si partner...”, ndërsa ambasadori Hovenier në Prishtina tha se “partneriteti me Kosovën nuk është ai që shpresonim të ishte”.

2025 – Një kthesë befasuese ndodhi gjatë javës së kaluar, kur Kryetari i Kuvendit nga VV-ja tha se të dy, Obama dhe Biden e kanë vendosur Kosovën “në pozitë të disfavorshme ndaj Serbisë”, nëj deklaratë që shkaktoi reagim publik edhe nga Richard Grenell, tashmë i emëruar si emisar presidenciale për “misione të veçanta”, i cili pyeti Kurtin: “Ata kaluan 4 vitet e fundit duke komplimentuar Jo Biden, duke shkuar në konventat dhe ndejat e tij. Pse nuk u ankuan kurrë më parë?”. Ai vazhdoi me një shkrim tjetër disa ditë më vonë: “Kurti bëri beteja politike dhe veprime të njëanshme. Ai solli marrëdhëniet Kosovë-ShBA në një pikë të ulët. Ai u dënua nga liderët evropianë, të NATO-s dhe nga ekipi i Biden”.

Lajme të ngjashme