Kurti çuditet që nuk po ftohet për takime të “dendura” me Serbinë
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një intervistë dhënë për Radio Evropa e Lirë, duke folur për bisedimet me Serbinë, e konkretisht për marsin si afat të fundit për arritjen e marrëveshjes, ka thënë se është i çuditur se si pas prezantimit të planit për marrëveshje, nuk po ka ftesa për takime të “dendura” me palen serbe.
“Me datën 18 nëntor të vitit të kaluar unë kam qenë në Talin të Estonisë në një vizitë zyrtare atje dhe atje më erdhi ftesa që me datën 21 të marrë pjesë në takimin e Brukselit dhe aty e kam parë për herë të parë marsin e vitit 2023, si afat të fundit kur do të duhej të arrinim marrëveshje. Për mua është plotësisht e arsyeshme që sa më parë ta arrijmë marrëveshjen, mirëpo për këtë duhet të ketë bisedime intensive. Andaj unë jam çuditur se si në njërën anë sillet propozimi, e në anën tjetër nuk insistohet për takime të dendura.”- ka thënë Kurti.
Tutje Kurti, ka thënë se çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet ndërmjet Kosovës e Serbisë, e që nuk e ka njohjen reciproke në qendër, nuk mund të quhet marrëveshje përfundimtare.
“Padyshim që për neve çfarëdo marrëveshje që nuk e ka njohjen reciproke në qendër, nuk është marrëveshje e normalizimit të plotë dhe në anën tjetër, nuk pretendohet me propozimin e Bashkimit Evropian që të kemi një marrëveshje finale. Ajo as nuk quhet marrëveshje finale dhe unë besoj me të drejtë nuk quhet, meqenëse duhet të ketë bisedime. Ajo është platformë e përbashkët për bisedime. Nuk është version përfundimtar i llojit ‘merre ose lëre’.
As neve, as në Bruksel, as në Prishtinë nuk është thënë kësisoj.”- ka thënë Kryeministri.