Kurti me kërkesë: BE-ja dhe ShBA-ja t'i bëjnë më shumë presion Serbisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë konferencës që ka mbajtur së bashku më ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, ka folur edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti tha se presidenti amerikan e ka thënë shumë qartë që Kosova dhe Serbia kanë nevojë për një marrëveshje finale.
Tutje, shefi i ekzekutivit ka deklaruar se Kosova ka shënuar hapa të mëdhenj në këto dy vitet e fundit sa i përket stabilitetit institucional.
Ai ka deklaruar gjithashtu se sa i përket dialogut më Serbinë, ka nevojë për një marrëveshje që i normalizon marrëdhëniet dhe kjo duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër.
“Kosova është shtet normal që ka shënuar hapa të mëdhenj në këto dy vitet e fundit. Kemi stabilitet institucional. Fakti që jemi shtet normal s’do të thotë që e i kemi marrëdhëniet normale me fqinjin tonë. Ka nevojë për një marrëveshje që i normalizon marrëdhëniet dhe kjo duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër’’, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri Kurti, i ka kërkuar BE-së dhe ShBA-vë, që të i bëjnë më shumë trysni Beogradit që të arrihet kjo marrëveshje.
"Unë besoj se kjo është e mundur sepse besoj në fuqinë e BE-së dhe SHBA-së që të bëjnë trysni shtesë mbi Beogradin. Kanë mjaftueshëm fuqi që të bëjnë trysni në Beograd që të kemi marrëdhënie normale me një marrëveshje të tillë, e cila do ta bënte përfundimisht njohjen reciproke”. - theksoi Kurti.