Kur pritet të mbahet takimi i tretë Kurti-Vuçiq? Flasin nga BE
Që nga vera e kaluar, asnjë takim nuk është mbajtur ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq ne kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Megjithatë disa mbledhje të grupeve negociatore janë organizuar, të cilat u qendërzuan rreth zgjidhjes së çështjes së targave.
Ndonëse me 3 prill kanë përfunduar zgjedhjet serbe, e ku u rikonfirmua pushteti aktual, ende nuk dihet se kur do të ritakohen Kurti e Vuçiq në Bruksel.
Gazeta Nacionale është interesuar rreth datës së takimit të ardhshëm ndërmjet kryeministrit kosovar e presidentit serb.
Por, nga BE, që lehtëson dialogun, nuk treguan kohën e takimit Kurti-Vuçiq.
Ata i thanë Nacionales shkurt se kurdo që Brukseli e sheh të arsyeshme do ta publikojë datën e takimit.
"Shumë faleminderit për mesazhin dhe pyetjet tuaja. Si zakonisht, ne do të njoftojmë çdo takim të ardhshëm të Dialogut nëse dhe kur është e nevojshme", thuhet në përgjigjen e BE-së.
Nacionale ka pyetur edhe Qeverinë e Kosovës nëse kanë filluar përgatitjet për takimin me palën serbe dhe temat e mundshme kurdo që palët të jenë përball njëri-tjetrit.
Si zakonisht, edhe kësaj radhe ka munguar përgjigja e Qeverisë ndaj gazetës.
Megjithatë, të dyja plaët janë shprehur të gatshëm të rifillojnë dialogun. Liderët shtetëror të Kosovës e kanë cilësuar si interes të vendit vazhdimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshje finale.
E rizgjedhja e Vuçiqit, sipas analistëve, vlerësohet një moment kur do të fillojë intensifikimi i këtij procesi.
Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ditë më parë i tha Nacionales se për shkak të zhvillimeve të fundit në terrenin gjeopolitik, pritet interesim më i shtuar nga ndërkombëtarët për punën e dialogut.
“Nëse e shohim racionalisht se si është situata në terren atëherë, po, do të duhej të prisnim një dinamizim të procesit të dialogut. Sidoqoftë, është vështirë të bëjmë hipoteza të sakta pasi që bllokadat në dialog dhe ndryshimi i shpeshtë i trajektores së dialogut dhe rrethanave kanë bërë që dialogu të pësoj tronditje. Ndonëse, duke e parë rrjedhën gjeopolitike në Evropë, besoj që nga ndërmjetësuesi BE-ja dhe nga ShBA-ja, do të ketë një tentativë për intensifikim të procesit”, deklaroi Fetahu.
Por, politologu Avdi Smajlja, është pesimist rreth mundësisë së arritjes së një marrëveshjeje finale.
“Përderisa në skenën politike në Serbi zgjedhjet nuk kanë prodhuar ndryshime në pushtet, atëherë mendoj se nuk do të këtë ndryshime në qasjen sa i përket dialogut, e cila në masë të madhe është dëshmuar e natyrës 'tërhiqe e mos e këput', në kuptimin që Serbia e ka shfrytëzuar dialogun si proces për të avancuar në agjendën e integrimeve, por jo edhe si përpjekje për të gjetur zgjidhje për çështjet e pazgjidhura me Kosovën”, ka thënë Smajljaj.
Bazuar në dy takimet paraprake, edhe i treti takim mund të përshkruhet me tensione ndërmjet Kurtit e Vuçiqit.
Kujtojmë që ka pasur disa takime ndërmjet Besnik Bislimit, zëvendës kryeministër i Kosovës e njëherit kryenegociator i palës kosovare, dhe Peta Petkoviç, shef i ekipës dialoguese të Serbisë.
Megjithatë, ende nuk ka një zgjidhje për çështjen e targave respektivisht atë të stikersave, e cila solli shumë tensione në shtator të vitit të kaluar.