Kur merr fund ‘seriali’ i numërimit të votave? - NACIONALE

Kur merr fund ‘seriali’ i numërimit të votave?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Përderisa janë bërë më shumë se 1 muaj që nga koha kur përfunduan zgjedhjet, numërimi i votave vazhdon.

Madje, Lëvizja Vetëvendosje dhe disa kandidatë për deputetë të LDK-së, kanë kërkuar edhe rivotim në diasporë.

Megjithatë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka refuzuar këtë kërkesë të VV-së. Por, ka pranuar kërkesën për rinumërimin e mbi 1 mijë fletëvotimeve të cilat u shpallën të pavlefshme gjatë numërimit.

Fjala është për fletëvotimet e printuara në mënyrë të gabuar, ku nuk figurojnë të gjitha partitë politike.

Gjithë ky ‘kaos’ ka bërë që ende Kosova të jetë larg certifikimit të rezultateve. E si rezultat, larg edhe formimit të institucioneve të reja.

Kur do të ndodh kjo, tashmë mbetet në ‘dorën’ e ankesave, PZAP-së e Gjykatës Supreme, nëse do të marrin ndonjë tjetër vendim për rinumërim apo rivotim.

Vetëvendosje pati ankesa ndaj vendimit të PZAP-së ku u rrëzua kërkesa për rivotim në diasporë.

“Si subjekt politik, palë e autorizuar sipas Ligjit, kemi dorëzuar ankesën brenda afatit ligjor. Afati i fundit për t’u ankuar mbi bazën e njoftimit të KQZ-së ka qenë data 07.03.2025, ora 21:00, kurse Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka dorëzuar ankesën bashkë me të gjitha provat në PZAP të premten, ora 20:20. Njoftimi i sotëm nga ana e PZAP-së se ankesa jonë për anulimin e fletëvotimeve të dërguara me postë dhe rivotimin përmes postës është e paafatshme, është pozicion arbitrar dhe i pashpjegueshëm i PZAP. Vendimi në fjalë nuk respekton njoftimin zyrtar të KQZ për momentin e përfundimit të të gjitha numërimeve në QNR dhe kështu bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, rregullat e KQZ-së, si dhe me praktikat e deritanishme të parashtrimit e shqyrtimit të ankesave për cënim të procesit zgjedhor”, thuhet në postimin e VV-së.

Por, vetëm dje, dy kandidatë të LDK-së, kërkuan rinumërimin e të gjitha votave në diasporë. Njëri madje, kërkoi edhe rivotim.

Fjala është për Arben Gashin dhe Driton Selmanajn.

“Siç po duket, procesi i numërimit në Qendrat e Numërimit Komunal ka dështuar. Ky dështim ka dëmtuar gjithashtu rëndë besimin në vërtetësinë e rezultatit zgjedhor. Për hir të ruajtjes së besimit në procesin demokratik, KQZ duhet të vendosë për rinumërimin e të gjitha votave në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve në Prishtinë. Një fenomen tjetër i vërejtur në këto zgjedhje është manipulimi masiv me votën e diasporës. Këto vota, siç po shihet, janë manipuluar sidomos brenda partive politike. Demokracia, ndër të tjera, është edhe besim në institucionet e zgjedhura. Vendi ka nevojë për institucione përfaqësuese dhe të besueshme”, ka shkruar Gashi në rrjete sociale.

“Siç po shihet deri më tani, votat në Qendrat Komunale të Numrimit, nuk kanë qenë në duar të sigurta dhe rrjedhimisht rezultatet nuk e pasqyrojnë vullnetin e votuesve që kanë marrë pjesë në votime. Edhe më keq është situata me votat e mërgatës. Procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike dhe rezultati i votave të mërgatës që kanë votuar përmes postës, kanë nxjerrë në sipërfaqe skema të organizuara për manipulim masiv të votave brenda subjekteve politike. KQZ, Prokuroria dhe institucionet tjera kompetente, në kuadër të kompetencave ligjore dhe kushtetuese, duhet t’i ndërmarrin të gjitha veprimet që ta rikthejnë rregullsinë e procesit dhe me këtë abuzuesit të marrin dënimin e merituar. Vota e secilit qytetarë është e shenjtë dhe të gjithë pa përjashtim duhet të angazhohemi që ato të mbrohen me çdo kusht”, thuhet në postim.

Lajme të ngjashme