Kupchan: Kurti t’i dëgjojë aleatët për Urën e Ibrit
Ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Charles Kupchan, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që t’i dëgjojë aleatët për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit. Ndërkohë, këto ditë pas vizitës së shefit të CIA-s në Kosovë, zyrtarët e pushtetin, kanë pushuar me deklarime për hapjen e Urës së Ibrit.
Kupchan ka komentuar edhe raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), duke thënë se nuk ka ftohje të raporteve, por që disa nga vendimet që ka marrë kryeministri Kurti, janë parë si provokim nga SHBA-ja.
Ai ka thënë se nëse Kurti bën lëvizje për hapjen e urës pa përkrahje të SHBA-ve dhe vendeve të NATO-s, mund të bëjë më shumë keq se mirë.
“Vetëm pse kryeministri ka të drejtë politike dhe ligjore për të hapur urën, nuk është patjetër gjëja e drejtë për t’u bërë kur jemi te qëllimi i gjerë i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, me qeverinë në Serbi, dhe te krijimi i një situate paqësore dhe drejt progresit në Kosovë.Prandaj brengosem që nëse kryeministri Kurti lëviz njëanshëm, ai nuk e ka pajtimin e serbëve në veri, pajtimin e Beogradit, nuk e ka përkrahjen e SHBA-së dhe vendeve të NATO-s. Kjo lëvizje mund të bëjë më shumë keq se mirë.” – ka thënë ai për Tëvë 1.
Ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, ka komentuar edhe raportet mes qeverisë së Kosovës dhe Uashingtonit zyrtar, duke thënë se nuk sheh ftohje të raporteve SHBA-Kosovë.
Megjithatë ai ka thënë se disa vendime që ka ndërmarrë Kurti për SHBA-në ka qenë provokuese.
“Jo, urrej ta quaj ndarje apo një ftohje që do të ishte term pak i vrazhdët. Por mendoj se kur shikon mandatin e kryeministrit Kurti, dhe sheh zgjedhjen e kryetarëve të komunave në veri nga një pakicë shumë e vogël, ndërrimin e tabelave të regjistrimit të veturave, çështjen e letërnjoftimeve, e monedhës, ka një pikëpamje në SHBA, në Uashington që kryeministri Kurti nganjëherë ndërmerr hapa që janë provokues, që nuk janë në frymën e lëvizjes drejt normalizimit, dhe implementimit të marrëveshje të cilën BE-ja e ka vendosur në tavolinë, ndonëse palët nuk kanë nënshkruar marrëveshjen, kanë deklaruar përkrahjen e saj.” – ka thënë ai.