Kujdesi mendor: Pa asnjë votë kundër, Kushtetuesja rrëzon vendimin e Qeverisë Kurti, për statutin e ShSKUK-së
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, këtë të mërkurë, njëzëri pa asnjë votë kundër, ka shpallur aktgjykimin, ku konstatohet se vendimi i Qeverisë Kurti që u mor më 27 dhjetor të vitit 2023, ishte kundërkushtetues. Kjo, sipas Gjykatës për faktin se paragrafi 1 i nenit 11 të statutit të ShSKUK-së, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale] në lidhje me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] dhe paragrafin 4 të nenit 92 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e ka urdhëruar Qeverinë e Kosovës, ta ndryshoj këtë paragraf, ashtuqë të jetë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
Pse u rrëzua vendimi i Qeverisë Kurti?
Ky nen, sipas Gjykatës Kushteutese nuk parashihte kujdesin mendor si shërbim që duhet të ofrohet në spitalet e përgjithshme.
Sipas Gjykatës, kjo bie ndesh me nenin 51 të Kushtetutës që garanton të drejtën për mbrojtje shëndetësore dhe është në kundërshtim edhe me nenin 7 (Vlerat) dhe nenin 92 (Parimet e Përgjithshme).
Përjashtimi i kujdesit mendor, tha Gjykata, kufizon të drejtat e qytetarëve dhe nuk është në përputhje me Ligjin për Shëndetin Mendor, i cili kërkon që në çdo spital të përgjithshëm të ketë Departament të Psikiatrisë.
Gjykata i ka urdhëruar Qeverisë të ndryshojë dhe plotësojë nenin 11.
Kërkesa u paraqit nga Avokati i Popullit dhe u mbështet edhe nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë dhe Oda e Mjekëve.
Ndryshe, partia në pushtet ka nisur një fushatë linçuese ndaj institucionit kryesor në vend për mbrojtjen e kushtetutshmërisë, pas humbjeve të njëpasnjëshme të lëndëve aty.
Së fundi, Gjykata Kushtetuese qartësoi edhe procedurën e konstituimit të Kuvendit, duke konstatuar shkeljen e Kushtetutës nga kryesuesi Avni Dehari, duke urdhëruar kryesuesin që të kthehet te rendi i ditës, e të procedoj me votim të hapur për Kryetarin e Kuvendit, ashtu siç ishte përcaktuar nga partitë politike, në takimin e përbashkët të prillit. Takim ky i organizuar e kryesuar nga ish-Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.