Asnjë reagim deri tash nga ministër Sveçla për vrasjen e shtatzënës në QKUK, reagon vonë Haxhiu
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla nuk kanë reaguar deri tash (ora 23:10) mbi rastin makabër në QKUK, ndërkohë që ka reaguar shumë vonë ministrja Albulena Haxhiu.
Vrasja e Hamide Magashit ka tronditur opinionin dhe ka nxitur reagime të shumta denoncuese. Ajo ishte një 35 vjeçare që kishte qenë edhe më parë viktimë e dhunës në familje.
Ajo po qëndronte në QKUK në ditët e fundit si grua shtatzënë, pasi priste që t’i jepte jetë foshnjes së saj.
Reagimet kanë qenë të shumta dhe nga të gjitha anët, përfshirë edhe krerët e institucioneve tona: Albin Kurtin, Vjosa Osmanin e Glauk Konjufcën.
Por, ka munguar reagimi nga ana e ministrit Xhelal Sveçla.
Kallxo ka raportuar më herët se i dyshuari për vrasjen kishte rrahur tashmë të ndjerën, dhe se kjo e fundit kishte pasur urdhër mbrojtje. Gazeta Nacionale nuk ka arritur në mënyrë të pavarur që ta konfirmojë një pretendim të tillë nga portali i mësipërm.
Ky dështim institucional po denoncohet me të madhe në sferën publike, me shumë e shumë opinionistë që po i lënë fajin pikërisht shtetit.
Ndërkohë, reagim të vonshëm ka pasur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që foli vetëm rreth katër orë pasi u raportua ngjarja.