Ku do të jetë Arben Vitia? - NACIONALE

Ku do të jetë Arben Vitia?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Nëntë ditë pasi gazeta Nacionale shtroi pyetjen “Ku është Arben Vitia?” me anë të një artikulli në të cilin problematizohej zhdukja e tij katër-muajshe nga politika vendore, ai është shfaqur.

Por, le të mos ngutemi që t’i marrim meritat si gazetë për rishfaqjen e z. Vitia. Në fakt, kjo rishfaqje e tij ka ndodhur në prag të përvjetorit të Qeverisë Kurti II, derisa janë shtuar zërat që kërkojnë riformatimin e saj.

Vitia nuk kishte publikuar asgjë në faqen e tij në Facebook, bash asgjë, prej 14 nëntorit të vitit 2021. Pra, ai nuk kishte bërë kurrfarë aktiviteti qe katër muaj e gjashtë ditë.

A s’do të donit që edhe ju të merrnit një pushim katër-mujor nga puna të cilën jeni duke e bërë? Ose, a s’do të donit që ta kishit si mundësi një pushim kaq të gjatë?

Ja që, kjo ishte e mundur për z. Arben Vitia. Por, a kishim të bënim me pushim?

Më 14 nëntor ai pësoi humbje në garën për të parin e kryeqytetit nga Përparim Rama i LDK-së. Dhe, megjithëse kritikat ndaj z. Rama po shtohen e po shtohen, Arben Vitia si kundërshtari kryesor i tij, nuk denjoi deri tash të thoshte qoftë edhe një fjalë për qasjen e avashtë të kryetarit të Prishtinës apo për ndonjë problem specifik.

Pse tash?

Shfaqja e Arben Vitisë në publik u bë në një formë mjaft simbolike. Në prapavijë duken edhe konturet e kokës së kryeministrit Albin Kurti, gjë që tregon se lojaliteti nuk ka ndërruar.

Por, a do të mbetet Vitia vetëm udhëheqës i Qendrës së Vetëvendosjes në Prishtinë apo do të bëhet sërish pjesë e Ekzekutivit, nuk dihet. E madje, as që mund të merret vesh duke njohur qasjen operuese të njerëzve vendim-marrës në Qeveri.

Që ta ripërsërisim, Vitia publikoi fotografinë vetëm tri ditë para një-vjetorit të Qeverisë Kurti II. Ai është i vetmi ministër i kësaj qeverie që është zëvendësuar nga një tjetër deri tash.

Por, a do të jetë ai zëvendësuesi i ndonjë ministri tjetër? Emri i parë që na bie ndërmend është ministri aktual i Shëndetësisë, z. Rifat Latifi. Pakënaqësitë me ministrin nga diaspora janë të mëdha, por ekziston një problem me këtë rast. Latifi i ka vetëm katër muaj punë në funksionin aktual, ose shumë më pak se të gjithë ministrat tjerë.

Përveç Latifajt, kush tjetër mund të zëvendësohet nga z. Vitia? Politikani 48 vjeçar nga Prishtina synonte të bëhej kryetar i kryeqytetit, e me këtë edhe drejtues i të gjitha dikastereve. Pra, njohuritë e tij – të paktën në letër – nuk janë të kufizuara. Vitia – i diplomuar si Mjek i Përgjithshëm në Tiranë – mund të konsiderohet nga Kurti dhe Vetëvendosje si një kuadër i përgjithshëm.

Sidoqoftë, e gjithë përvoja e tij politike është e lidhur me sektorin e shëndetësisë.

Funksioni më real të cilin mund ta marrë z. Vitia është ai i këshilltarit të kryeministrit për Shëndetësi. Por, për shkak të mungesës së kuadrove tjera ai mund të shërbejë edhe si zëvendësimi potencial për Hajrullah Çekun apo Arbërie Nagavcin si ministër. Respektivisht, ai mund të shihet si kompetent për të drejtuar ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që është goditur rëndë nga disa skandale me konkurse por edhe ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Sidoqoftë, për pyetjen se ku do të jetë Arben Vitia, i vetmi që di përgjigjen është kryeministri Albin Kurti. Dhe kryeministri nuk është aq i qasshëm për medie.

Lajme të ngjashme