Kthimi i Limajt, në tryezën e Kryesisë së PDK-së: Qysh do të vendosë Hamza? - NACIONALE

Kthimi i Limajt, në tryezën e Kryesisë së PDK-së: Qysh do të vendosë Hamza?

1 muaj më parë

nga NACIONALE

  • 22 mijë vota më 9 shkurt 2025, 15 mijë më 28 dhjetor 2025.

Tashmë këto minimalisht 15 mijë vota të Fatmir Limajt të Nismas Socialdemokrate janë në pikëpyetje a të jenë votë e humbur opozitare apo t’i shkojnë Partisë Demokratike të Kosovës.

Fatmir Limaj i kërkoi PDK-së që ta marrin në listën e tyre zgjedhore.

Si subjekt më vete Nisma Socialdemokrate nuk u regjistrua për garë.

Kjo edhe do të jet tema kyçe në mbledhjen e Kryesisë së PDK-së sot të thirrur për në ora 16:00.

Në favor të Limajt ka figura kryesore në PDK si Ramiz Lladrovci dhe Sami Lushtaku në rajonin e Drenicës.

Por, se si do të vendos Bedri Hamza, kryetari i këtij subjekti, mbetet e panjohur.

Burime të ‘Nacionale’-s brenda kryesisë së kësaj partie kanë thënë se “me më shumë gjasë, jo.

Nesër në ora 24:00 godet afati i fundit ligjor për dorëzimin e listave të përpiluara zgjedhore në Komisionin Qendror Zgjedhor për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Kreu i NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka formalizuar kërkesën përmes një letrehe për garë të përbashkët me Partia Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit.

Përmes një letre dërguar kryetarit Bedri Hamza, Limaj konfirmoi gatishmërinë e NISMA-s për t’u përfshirë në listën zgjedhore të PDK-së.

Një natë më herët, në emisionin “Debat Plus”, ai e paraqiti ofertën si “akt të përgjegjësisë opozitare” dhe jo kalkulim elektoral.

“Jemi të interesuar të bashkohemi dhe të shkrihemi në një formacion të përbashkët”, deklaroi Limaj, duke shtuar se kjo mund të ndodhë “nën siglën e PDK-së”.

Ai vlerësoi se një sinergji mes dy subjekteve mund t’i siguronte PDK-së deri në 40 mijë vota shtesë.

“Besoj që 40.000 vota, 30.000 vota i merr shtesë për shkak të sinergjisë”, tha ai.

Megjithatë, zyrtarët e lartë të PDK-së kanë shfaqur rezervë ndaj mundësisë së rikthimit politik të Limajt në listën e tyre.

Nënkryetari Uran Ismaili deklaroi se “nuk ka pasur disponim brenda PDK-së që të ketë përafrim”.

Edhe Vlora Çitaku tha se partia synon një listë me figura të reja dhe se “çështja e Limajt” nuk është diskutuar.

Ndërkaq, Përparim Gruda u shpreh më i kujdesshëm, duke thënë se Limajt “nuk i janë mbyllur dyert”.

Vetë Limaj pranoi se NISMA nuk sheh motiv për të garuar e vetme, duke i cilësuar zgjedhjet si “rivotim”.

“Këto s’janë zgjedhje për ne, janë rivotim”, deklaroi ai, duke paralajmëruar opozitarizëm jashtë parlamentit nëse nuk arrihet marrëveshje.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, në anën tjetër, u shpreh pro pranimit të Limajt.

"Jo vetëm Fatmiri, por çdo veprimtar e kontribues i lirisë dhe ndërtimit të Kosovës, e ka vendin në PDK", deklaroi Lladrovci për Gazeta Blic.

Ai shtoi se PDK-ja nuk mund të mbetet pasive në këtë konjukturë politike.

"Fatmiri dhe të gjithë ata që e duan Kosovën në NATO dhe BE, në aleancë të përhershme me Amerikën dhe perspektivë euro-atlantike, janë të mirëseardhur në PDK", përfundoi Lladrovci.

Po ashtu, Ish-deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se është për që Fatmir Limaj të kthehet në parti.

“Po të varej nga unë, kjo çështje do të ishte e kryer, sepse qëndrimi im ka qenë dhe mbetet PËR. Vendimin e merr Kryesia e PDK-së, por unë do ta mbaj këtë qëndrim edhe në mbledhjen e Kryesisë,” shkroi ai.

Lajme të ngjashme