Kryeziu thotë se janë dy prioritet para kthimit në dialog: Siguria brenda territorit dhe sanksionet ndaj Serbisë
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përpraim Kryeziu ka treguar se cilat janë prioritet para vazhdimit të dialogut me Serbinë.
Kryeziu ka thënë se dy prioritet e tyre janë garantimi i sigurisë brenda territorit dhe sanksionimi i shtetit përgjegjës për sulmin.
“Për ne prioritet është siguria dhe sanksionet. Këto janë prioritete të cilat na i ka paracaktuar sjellja e Serbisë më 24 shtator dhe duhet të sigurohemi që ajo të mos përsëritet ashtu që të sigurojmë atmosferën për një dialog si mënyra e vetme e zgjidhjes së problemeve.” – ka thënë Kryeziu për KTV.
Ai ndër të tjera ka akuzuar Serbinë se, më shumë se dy dekada pas luftës, ka sponsorizuar plane për aneksimin e Kosovës në kohën kur ka dialog në Bruksel.
“Ne do të presim që të përfundojnë të gjitha hetimet e Policisë së Kosovës që po zhvillohen atje, ashtu që të dokumentojmë gjithçka që ka ndodhur, të dokumentojmë edhe më shumë lidhjen e Serbisë prapa këtij sulmi. Do të diskutojmë me të gjitha palët e përfshira në mënyrë që ta gjejmë formulën për të ecur përpara. Por ajo që ka ndodhur më 24 shtator ka ndryshuar shumëçka dhe ne nuk mund të sillemi, të flasim sikurse nuk ka ndodhur e të vazhdojmë siç ka qenë.” – ka thënë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës.
