Kryeziu: Presim që pika kyçe e takimit të jetë zbatimi i Marrëveshjes Bazike
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se Qeveria pret që takimi i sotëm në Bruksel në mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksander Vuçiq të fokusohet në sekuencimin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike.
Ai ka vlerësuar se ky zbatim duhet të jetë i drejtë dhe i balancuar.
“Kanë kaluar 1 vit prej prezantimit të parë të draftit të Marrëveshjes Bazike dhe po bëhen tash 6 muaj prej dakordimit mbi tekstin final të Marrëveshje Bazike në Bruksel. Duhet zbatim i plotë, i shpejtë dhe pa kushte i saj. Në takimin e të enjtes, presim që pika e kyçe e takimit që jetë diskutimi drejt finalizimit të planit të sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes Bazike, i cili duhet të jetë i drejtë, i balancuar dhe gjithëpërfshirës”, ka deklaruar Kryeziu për RTV21.
Ai ka folur edhe për masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.
Sipas tij, këto masa tashmë kanë humbur edhe kuptimin dhe duhet të largohen.
“Masat kanë qenë të padrejta prej fillimi. Tash përfundimisht kanë humbur edhe kuptim meqë në njërën anë de-eskalimi praktikisht ka ndodhur, ndërkaq në anën tjetër Kosova po e zbaton me përpikëri marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian të arritur në Bratislavë me 10 korrik. Kanë kaluar më shumë se dy muaj prej kur është regjistruar incidenti i fundit serioz dhe protesta e fundit e dhunshme, në dhe rreth ndërtesave komunale ka tani 50% më pak prani të Policisë së Kosovës ndërkohë që ka më shumë punëtorë administrativë që i shërbejnë qytetarëve”, është shprehur ai, duke shtuar se Qeveria tashmë ka finalizuar edhe Udhëzimi Administrativ, i cili u hap rrugë zgjedhjeve të reja në veri.
“Fatkeqësisht, masat e kanë dëmtuar edhe procesin e dialogut. Andaj sa më parë që largohen ato, është mirë edhe për Bashkimin Evropian dhe çka përfaqëson ky union por edhe për Kosovën”, është shprehur Kryeziu.