Kryeministri Kurti kthehet nga Greqia
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është kthyer nga Greqia, ku mori pjesë në Simpoziumin e Symit.
Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se Kurti sot ka pasur një bashkëbisedim me biznese nga Sektori i Ushqimit dhe Pijeve.
“Sektori i pijeve dhe i ushqimit përbën fushë shumë të rëndësishme të biznesit vendor, u shpreh kryeministri, duke shtuar se në performancën industriale, ka rezultuar që sektori i pijeve dhe i ushqimit, pastaj përpunimit të drurit e të metaleve, gomës e i plastikës, i mineraleve jometalike, i produkteve metalike dhe i metaleve bazë, por edhe sektorët, si i tekstilit, veshjeve dhe i lëkurës, janë sektorë, të cilët e bëjnë një pjesë të madhe të punësimit në Kosovë dhe që po kanë rritje nga viti në vit, nga muaji në muaj madje.” – citohet të ketë thënë ai.
Ndërkohë, siç bëhet e ditur në komunikatën për media, të pranishme në këtë takim ishin edhe ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari dhe ministja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Vlen të theksohet se kryeministri Kurti nuk shkoi në takimin e liderëve të Balkanit Perëndimor të mbajtur në Tiranë, pikërisht për shkak të kësaj vizite në Greqi.
“Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë. Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023.” – kishte thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Sa i përket vizitës në Greqi, nuk dihet se në sa panele ka marrë pjesë kryeministri, megjithëse, vlen të theksohet se atje e ka zhvilluar një takim me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.