Kryediplomati gjerman kërkon që “provokimet e ndërsjella” Kosovë – Serbi të marrin fund - NACIONALE

Kryediplomati gjerman kërkon që “provokimet e ndërsjella” Kosovë – Serbi të marrin fund

2 javë më parë

nga NACIONALE

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Johann Wadephul, kërkoi formimin urgjent të qeverisë së re në Kosovë, duke theksuar se vendi nuk mund të vazhdojë me ngecje politike pas tetë muajsh pa qeveri funksionale. Deklaratat i bëri në Prishtinë, një ditë para tentimit të dytë të Parlamentit për të votuar kabinetin e propozuar nga mandatarit Glauk Konjufca i Lëvizjes Vetëvendosja.

“Zhvillimi i Kosovës që nga përfundimi i luftës 1999 dhe që nga pavarësia në vitin 2008 është një histori e vërtetë suksesi... Votuesit janë duke pritur formimin e saj që prej tetë muajsh... këtu bën pjesë një qeveri stabile”, tha Wadephul pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, raportoi Deutsche Welle.

Dialogu me Serbinë ishte në qendër të mesazheve të ministrit gjerman. Ai theksoi se procesi i ndërmjetësuar nga BE-ja ka stagnuar dhe kërkoi angazhim të dyanshëm për zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit. “Marrëveshja e Ohrit... duhet të zbatohet shpejt dhe plotësisht... Për Kosovën kjo nënkupton për shembull hapjen e nevojshme për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.”

"Është me rëndësi që politika e provokimit të ndërsjelltë dhe të menaxhimit permanent të krizave të marrë fund".

Ai shtoi se stabiliteti është thelbësor dhe se situata në veri nuk duhet të përsërisë tensionet e viteve 2023 dhe 2024. Wadephul vlerësoi marrëdhëniet bilaterale, duke përmendur rolin e Gjermanisë si investitori dhe partneri më i madh tregtar i Kosovës.

Në planin evropian, ai theksoi se zgjerimi i BE-së është “një urgjencë gjeopolitike”, ndërsa paralajmëroi kundër tentativave për destabilizim në kontinent.

Presidentja Osmani kërkoi heqjen e menjëhershme të masave të BE-së ndaj Kosovës, duke kërkuar mbështetjen e Berlinit për avancimin drejt anëtarësimit. “Heqja sa më parë e masave ndaj Kosovës është një urgjencë e domosdoshme... Kosova është 100 për qind e harmonizuar në politikën e jashtme të BE-së”, tha ajo, duke theksuar se vendi aspiron të hyjë në BE si kontribuues, jo si barrë.

Lajme të ngjashme