Kriza në lindje zë në pozitë ‘offside’ Serbinë: Vuçiq plaket për tri ditë
“Këto tri ditë jam plakur më shumë sesa 10 vitet e fundit”. Kështu u tha mediave serbe Aleksander Vuçiq, përderisa institucionet e vendit që ai drejton po diskutonin për mundësinë e sanksioneve ndaj Rusisë, kërkesë e ripërsëritur disa herë nga BE-ja. Madje, kjo e fundit, sipas Vuçiqit, po bënte presion të vazhdueshëm për një gjë të tillë.
Por, ashtu siç edhe pritej, Serbia refuzoi ta dënojë agresionin rus në Ukrainë. S’e themi kot edhe ne: “Nuk shkon gjithmonë kungulli mbi ujë”. Përderisa deri tani ai mjaftohej me lojë të dyfishtë, pra e "shijonte gjellën me dy lugë”, kriza në lindje, shkaktoi lëkundje në politikën e jashtme serbe. Dhe çka është më e rëndësishme për ne, jo edhe të lehta.
Ai tha se Serbia e ka të pamundur t’i vë sanksione Rusisë, kjo për shkak të qëndrimit pro-rus të qytetarëve, por ka pohuar faktin që e njohin integritetin territorial të Ukrainës.
“Serbia shpreh keqardhje sinqerisht për gjithçka që po ndodh në Evropën Lindore. Ne gjithmonë i kemi konsideruar si vëllezër popullin rus dhe ukrainas dhe Serbia gjithmonë ka respektuar të drejtën e shteteve për paprekshmëri të kufijve. “Një nga parimet bazë të vendit tonë është respektimi i integritetit territorial të shteteve të tjera sovrane. Ne kemi ndjekur gjithmonë një politikë të jashtme parimore dhe e kemi paguar shtrenjtë. Në përpjekje për të ruajtur integritetin tonë territorial, ne u sulmuam nga 19 vende të NATO-s në fund të shekullit të 20-të. “Në përputhje me politikën e saj të deritanishme, Serbia i ofron mbështetje të plotë integritetit territorial të Ukrainës”, - theksoi Vuçiq.
Qëndrimi i saj ngjalli reagime të shumta në botën perëndimore.
Ish-kryeministri e ministri i jashtëm suedez në periudhën 2006-2014, Carl Bildt u tregua goxha i ashpër. Përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, Bildt shtoi se me këtë veprim Serbia ia ka mbyllur dyert vetes për t’u anëtarësuar në BE.
“Me këtë qëndrim, Serbia ‘de facto’ u diskualifikua nga procesi i anëtarësimit në BE. Nuk duhet të ketë vend për anëtarë të rinj të BE-së që nuk ndajnë vlerat dhe interesat tona themelore”, - shkroi Bildt të dielën e fundit të muajit shkurt, duke bërë me shenjë se ky pozicionim i Serbisë karshi këtyre zhvillimeve nuk do të kalojë dosido.
Një tjetër zyrtar evropian, konkretisht eurodeputeti bullgar, Ilhan Kyuchyuk tha se ka ardhur koha që presidentit serb t’i pamundësohet ulja në dy karrige, siç ka ndodhur deri më tani.
“Koha që t’i dërgohet sinjal i fuqishëm presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që t’i kallet loja. S’mund të uleni në dy karrige në të njëjtën kohë, zotëri Vuçiq. Duke refuzuar që të rreshtoheni me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian dhe të vendosni sanksione kundër luftës së Putinit në Ukrainë, ju po vini në pikëpyetje të ardhmen evropiane të shtetit tuaj”, - ka shkruar ai në Twitter.
Por, dje, në një seancë të jashtëzakonshme, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi një rezolutë që dënon agresionin rus në Ukrainë. Kësaj rezolute iu bashkua edhe Serbia. Këtë të fundit e lavdëroi edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, që përmes një postimi në rrjetin social “Twitter” tha se Ballkani Perëndimor u bë bashkë me Perëndimin.
"141 vende ndëshkojnë Rusinë me votimin e tyre në OKB kundër agresionit ndaj Ukrainës!Rusia hyn në periudhën e vetmisë më të madhe të historisë së saj me veç 4 vende ultradiktatoriale që i qëndrojnë në krah!Vota e Serbisë kundër Rusisë unifikon Ballkanin Perëndimor me Perëndimin”, - shkroi Rama.
Megjithatë, Vuçiqi e di që do të ketë probleme të shumta sa i përket integrimit. Këtë e thotë vazhdimisht. Tutje, ai shton se tani OKB po mendon përjashtimin e Rusisë, në mënyrë që më pas ta bindin Kinën ta heqë veton dhe kështu Kosova të bëhet anëtare e organizatës më të madhe të shteteve në rruzull.
Gjithsesi, kjo mbetet edhe më tutje në suazat e supozimit dhe përderisa nuk ka hapa konkretë, nuk mund të konsiderohet fillim zyrtar.
Dihet botërisht që Serbia është aleatja e vetme e Rusisë në kontinentin e vjetër, hiq këtu kreun e Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinë, Dodik.
Viteve të fundit, analistët rusë shpeshherë kanë kritikuar Vuçiqin për qasjen e tij të afërt me BE-në, duke e konsideruar si lojtar dinak politik.
Zgjedhjet presidenciale të Prillit në Serbi gjithashtu mund të jenë një tjetër faktor kyç të këtij qëndrimi të krerëve, ama vështirë se të njëjtit do të vepronin ndryshe, kur dihet ndikimi i patjetërsueshëm rus.
Këtë së fundi e pranoi edhe kryeparlamentari Daçiç, që tha se nëse fuqitë e mëdha perëndimore duan që Serbia t’i vendos sanksione Serbisë, atëherë le ta tërheqin njohjen e Kosovës dhe pastaj mund të flasin.
Kuptohet, këtu trajektorja merr drejtim të favorshëm për ne. Megjithatë, sa jemi të gatshëm ne që këtë mundësi ta shfrytëzojmë si është më së miri? Deri më tani, Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës ka dështuar në shumë pika në përgjegjësitë e saj, por ky është një rast tjetër që në zarin politik, ta arrijë numrin maksimal.
Por, përfaqësuesit tanë duhet të lëvizin. Çdo ditë, pa dallim. Këtë mundësi në horizont duhet ta ‘gllabërojmë’. Pasi, mprehtësia jonë në këto kohë të vështira, mund të sjellë kohë të mira gjatë negociatave të ardhshme.
Institucionet relevante evropiane pritet që ta shtojnë presionin ndaj Serbisë, kurdo që mbahet raundi i ardhshëm negociator, ani pse për shkak të situatës, vështirë se do të ndodhë në një të ardhme të afërt.
/Nacionale/