Krejt çka ndodhi me dronin e rrëzuar të KFOR-it në Mitrovicë
Një dron ushtarak u rrëzua sot në oborrin e një shtëpie në lagjen Bair të Mitrovicës, dhe shastisi banorët e atyshëm. Pas verifikimit të këtij informacioni, gazeta Nacionale publikoi lajmin duke shtruar edhe pikëpyetjet e nevojshme në adresat e duhura.
Droni në fjalë nuk kishte asnjë mbishkrim, por pati një kamerë të sofistikuar vëzhguese, që përdoret për survejim/monitorim.
Policia e Kosovës, pasi ishte thirrur nga qytetarët, shkoi menjëherë në vend-ngjarje, por megjithatë zëdhënësi i rajonit të Mitrovicës nuk arriti që t’i konfirmonte informacionet.
Droni pas aksidentit kishte mbetur funksional edhe pak kohë pasi kishte rënë, dhe ishte çmontuar nga vetë banorët. Tashmë ai është larguar nga vend-ngjarja.
E gjithë kjo kishte ndodhur rreth orës 14:00.
“Edhe pasi ka rënë në tokë, ai provoi të ngritej lart”, tha njëri prej banorëve për gazetën Nacionale.
Nacionale mori vesh se droni në fjalë prodhohej nga një kompani me bazën në Izrael dhe se ishte shitur në shumë shtete të ndryshme të botës, përfshirë edhe vende të merrnin pjesë në paqeruajtjen e Kosovës si trupa të KFOR-it.
Ai quhej Skylark Elbit 1, kishte radius prej 5 deri në 10 kilometra dhe mund të operojë vetëm për dy orë pa ndërprerje.
Pas shumë këmbënguljeve nga gazeta Nacionale, burime brenda KFOR-it e pranuan se droni i rrëzuar u takonte atyre. Pritet që në vazhdim të dalin edhe me një komunikatë zyrtare.
“Një zhurmë e ka pasë, me kamerë e krejt. E kena kapë dhe zhurma sikur dojke me u nisë. Tani ndërkohë ia kena hek baterinë edhe u ndalë”, u shpreh njëri prej banorëve.
Edhe kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, e konfirmoi këtë lajm.
“Ka ra një dron. Sipas informatave nuk ka dëme materiale dhe as të lënduar. Janë duke u marrë organet profesionale me këtë punë dhe ata do të dalin me deklaratat e tyre”, i tha z. Hamza gazetës Nacionale.
Edhe më tej ka pikëpyetje tjera në lidhje me dronin e rrëzuar. Nuk dihet se prej cilit vend ishte lëshuar, ashtu siç deri tash nuk dihet edhe se çka e kishte shkaktuar rrëzimin e dronit.
Po ashtu, nuk ka ndonjë deklaratë nga zyrtarët e lartë shtetërorë, deri në kohën kur është publikuar ky artikull.
.jpg)
.jpg)