Krasniqi: Takimi Kurti-Vuçiq është për Asociacionin, jo për njohjen
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është shprehur i shqetësuar për takimin Albin Kurtit me Aleksandër Vuçiqi, i cili do të mbahet të hënën.
Ai ka bërë me dije se ky takim është për formimin e Asociacionit dhe jo për njohje reciproke.
Në profilin e tij në “Facebooj”, ai ka shkruar se kryeministri Kurti e ka degraduar procesin e dialogut të Brukselit.
“Pra, takimi i së hënës është takim për Asociacionin e jo për njohje. Sepse, qeveria, me paaftësinë e saj, e ka degraduar dialogun nga arritja e qëllimit të marrëveshjes finale me njohje në qendër, në marrëveshje kalimtare me Asociacionin në qendër", ka shkruar Krasniqi.
Ai ka thënë se tashmë Qeveria ka pranuar se plani i BE-së nuk e përmban njohjen reciproke.
"Kjo fazë e re është rezultat i drejtpërdrejtë i dy viteve të keqmeaxhimit të dialogut nga Qeveria Kurti. Pavarësisht nga takimi i së hënës, qeveria, tashmë publikisht, e ka pranuar planin e propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, nga ajo që është parë deri tash, plani në vetvete nuk përmban pothuajse asnjë përfitim konkret për Kosovën. Aty nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa njohja e ndërsjellë është jashtë çdo diskutimi", ka shkruar Krasniqi.