Krasniqi për betimin e kryetarëve në veri: Gjithçka gati për nesër
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, për betimin e tre kryetarëve të komunave veriore në veri të vendit, që do të bëhet, ka thënë se gjithçka është gati.
Kështu ka thënë ai në konferencë për medie pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë së Kosoëvs.
Krasniqi ka thënë se seancat do të mbahen në zyrat lokale për komunitete.
“Nesër do të organizohen seancat e asambleve komunale në zyrat lokale për komunitete. Këtë si ministri e kemi mbështetur, nesër çdo gjë është gati që asambleistët të emërohen dhe kryetarët të betohen që të fillojnë punën e tyre.” – ka thënë Krasniqi
Ai ka thënë se kryetarët do t’i kryejnë detyrat sipas Kushtetutës dhe ligjit.
“Kryetarët do të ushtrojnë mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor në komunën ku kanë marrë pjesë. Janë të zgjedhur, i kanë fituar zgjedhjet ata do të jenë në shërbim të qytetarëve. Ligji për Vetqeverisje Lokale parasheh secilin detaj, kështu që kryetarët do të vazhdojnë të punojnë në komunën ku janë zgjedhur.” – ka thënë ai.
Kujtojmë se ditë më parë u betua kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq.
