Krasniqi sulmon sërish diplomatët për Srpska-n, i akuzon për “veprime të dëmshme” ndaj Kosovës - NACIONALE

Krasniqi sulmon sërish diplomatët për Srpska-n, i akuzon për “veprime të dëmshme” ndaj Kosovës

1 javë më parë

nga NACIONALE

Nё tentativën e radhës për të mbrojtur një betejë procedurale tashmë të humbur ligjërisht përballë PZAP-së, përfaqësuesi i Vetëvendosjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi, u shfaq sërish me me retorikën e tij tashmë të njohur agresive dhe akuza ndaj diplomatëve dhe ambasadorëve në Kosovë.

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara, përmes Ambasadës në Kosovë, paralajmëruan dje cenim të marrëdhënieve me Kosovën, ndërsa sot Ambasada e Britanisë së Madhe bëri përsëri thirrje për “respektimin e institucioneve demokratike”, Krasniqi, në paraqitjen e sotme në emisionin “60 Minuta” në KTV, ua dha nja dy-tre “mësime” ndërkombëtarëve për situatën me Listën Serbe.

“Politizimi nuk është duke ardhur nga KQZ, politizimi është duke ndodhur nga akterët e njëjtë që e kontrabanduan Listën Serbe më 2013 duke e bërë pjesë të sferës politike që përfaqëson edhe komunitetin serb

“Mund t’i pyesim edhe këta të BE-së, edhe përfaqësi të caktuara, të themi diplomatike, dhe ish-diplomatë, të cilët besoj që me veprime të tilla i kanë bërë dëm jo vetëm Republikës së Kosovës, por edhe më shumë vetë komunitetit serb." - deklaroi Krasniqi.

Krasniqi kishte eskaluar në gjuhë brutale ndaj ambasadorëve dhe diplomatëve edhe në të kaluarën, duke i akuzuar se po ushtrojnë presion “për hesapet e tyre politike të ngushta”.

“Aty ku Lista Serbe pretendon të garojë, aty nuk do të ketë demokraci, e dinë prej ambasadorëve, përfaqësuesve të BE-së dhe të gjithë të tjerëve të Quintit. Edhe ata janë duke u vënë në mbrojtje të organizatave kriminale për hesapet e tyre politike të ngushta apo të karrierës diplomatike. Por edhe institucionet tona dhe spektri politik janë duke dështuar në këtë drejtim.” – ishte shprehur Krasniqi në një mbledhje të KQZ-së vitin e kaluar.

Ambasada e ShBA-së dje iu rikthye paralajmërimeve të kahershme për “gërryerjen e partneritetit” Kosovë–ShBA, duke i deklaruar REL-it se veprimi i KQZ-së ishte “në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre.”

Ndërsa Ambasada britanike theksoi sot në një reagim rëndësinë e përfshirjes së komuniteteve joshumicë në proceset demokratike, duke theksuar se vendimi i PZAP-së rikonfirmon të drejtat kushtetuese të këtyre komuniteteve.

"Ambasada Britanike vëren vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili rikonfirmon të drejtën e komuniteteve joshumicë të Kosovës, krahas të gjitha subjekteve të tjera politike, për të marrë pjesë plotësisht në procesin demokratik siç garantohet me Kushtetutë dhe legjislacionin përkatës. Ne presim që përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë legjitime të jenë në gjendje të marrin detyrën dhe t'u shërbejnë qytetarëve që i kanë zgjedhur ata.”

Ambasada u bëri thirrje të gjitha institucionet dhe aktorët politikë që të respektojnë vendimet e organeve demokratike.

“Mbretëria e Bashkuar vazhdon të mbështesë procese zgjedhore transparente dhe të bazuara në rregulla në Kosovë. Ne inkurajojmë të gjitha institucionet dhe aktorët politikë që të respektojnë vendimet e institucioneve demokratike dhe të ruajnë integritetin e kornizës zgjedhore. Një proces zgjedhor i besueshëm dhe gjithëpërfshirës është thelbësor për stabilitetin demokratik të Kosovës dhe për forcimin e besimit mes të gjitha komuniteteve." – thuhet në reagim.

Lajme të ngjashme