Krasniqi e dorëzon mandatin: PDK-ja ka nevojë për një momentum të ri, bashkohuni
Memli Krasniqi ka dorëzuar mandatin e kryetari të PDK-së.
Në konventën e 12-të të kësaj partie, ku do të zgjidhet kryetari i ri i PDK-së, ai ka deklaruar se drejtimi i kësaj partie ishte nderi më i madh i jetës së tij.
Ai ka bërë me dije se PDK-ja ka nevojë për një kapitull të ri.
“Udhëtimi im si Kryetar filloi këtu dhe po përmbyllet këtu. Në të njëjtën skenë. Para të njëjtëve njerëz. Me të njëjtën dashuri për këtë parti dhe këtë vend. Këto 1600 ditë kanë qenë ditët më domethënëse të jetës sime publike. Sot largohem nga detyra me mirënjohje. Me krenari. Me paqe”, ka deklaruar ai, duke dhënë detaje tjera.
“Pas gati 1600 ditësh shërbimi si udhëheqës i juaji, besoj se PDK ka nevojë për një momentum të ri, për një kapitull të ri, teksa përgatitet për zgjedhjet nacionale të radhës. Nuk po largohem prej lodhjes. Nuk po largohem prej zhgënjimit. Përkundrazi! Po e bëj këtë hap, sepse besoj thellë se: PDK ka nevojë për energji të re. PDK ka nevojë për një moment të ri unifikimi. PDK ka nevojë që Kryetari i saj të jetë edhe kandidati për Kryeministër. Po e bëj këtë nga përgjegjësia, jo sepse shtëpia jonë është e thyer, por sepse është mjaftueshëm e fortë për t’u ngritur në lartësi të reja. Po dorëhiqem duke e ditur se PDK-në po e lë më të fortë se sa që e gjeta kur më zgjodhët që t’ju prij. Ndoshta nuk është shumë, por ju siguroj se nuk kam kursyer as atomin e fundit të angazhimit dhe të dijes time për Partinë Demokratike të Kosovës. Sepse, ju e dini: Për më shumë se 20 vjet, PDK është shtëpia ime politike”, është shprehur ai.
Ai ka treguar se gjatë kësaj ushqejë katër vjeçare ka mësuar shumë.
“Vendi ku u rrita, ku u testova, ku mësova, ku shërbeva dhe ku fitova. Vendi ku pata nderin historik të jem një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Vërtetë, ka qenë dhe është nderi më i madh i jetës sime që të udhëheq këtë parti. Partinë e krenarisë sonë kombëtare. Partinë që ka shkruar faqet më të ndritura të historisë së Kosovës. Partinë që e kanë udhëhequr dy burra që kanë shkruar epokën më të lavdishme të vendit tonë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Prej tyre kam mësuar shumë, por mbi te gjitha faktin se lidershipi nuk është privilegj. Është përgjegjësi”, është shprehur Krasniqi.
Ndër të tjera, ai ka vlerësuar se gjatë kësaj kohe udhëhoqi me sukses PDK-në.
“Kur mora drejtimin e partisë, PDK gjendej në një udhëkryq. E lënduar nga e kaluara, e tronditur nga ngjarje të papritura, dhe nën presion të madh politik. Me pesë komuna nën qeverisjen tonë, me 148 mijë vota në zgjedhje nacionale, me 18 deputetë dhe me rezultat 11% në sondazhe. Në atë periudhë, disa flisnin për rënie, disa për krizë, disa madje për fillim të fundit për partinë tonë. Por, së bashku, gur mbi gur, ditë pas dite, ne e ringritëm PDK-në”, ka shtuar ai.
Në fund të adresimin të tij, Krasniqi e ka ftuan anëtarësinë e PDK-së që të bashkohen.
“Prandaj sot, nga kjo foltore, dua t’u bëj një thirrje të qartë të gjithëve që qoftë edhe një herë gjatë jetës së tyre kanë thënë: Unë jam PDK: Ejani. Bashkohuni. Rikthehuni në shtëpinë tuaj politike. Asnjë prej nesh nuk jemi mbi familjen tonë politike. Le t’i forcojmë radhët dhe le t’i japim Kosovës atë që e meriton. Një alternativë të fortë, moderne, profesionale. Një qeverisje të kompetencës, jo të kaosit. Një lidership të unitetit, jo të përçarjes. Sepse, Kosova nuk ecën përpara pa një PDK të bashkuar”, ka thënë Krasniqi.
Pas adresimit të tij, dorëheqje e Krasniqit është hedhur në votim dhe me shumicë votash delegatët e Konventës së 12-të të PDK-së ia kanë pranuar dorëheqjen.