KQZ ndryshon vendimin, tërheqja e shortit bëhet nesër - NACIONALE

KQZ ndryshon vendimin, tërheqja e shortit bëhet nesër

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndryshuar datën e tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Sipas propozimit fillestar, shorti ishte planifikuar të mbahej më 8 dhjetor, por vendimi u rishikua në mbledhjen e radhës së KQZ-së.

Kjo mbledhje u shoqërua me tensione dhe u ndërpre përkohësisht pas përplasjeve mes anëtarëve rreth rendit të ditës, ku pika më e debatueshme ishte shqyrtimi i afateve dhe opsioneve të votimit me postë. Arianit Elshani nga PDK kërkoi që kjo çështje të hiqet nga rendi i ditës dhe të diskutohet në një takim tjetër.

Në anën tjetër, Alban Krasniqi, përfaqësues i Vetëvendosjes në KQZ, kundërshtoi ashpër, duke paralajmëruar se çdo vonesë në përcaktimin e procedurave për votimin nga diaspora mund të rrezikojë seriozisht të drejtën e saj për të marrë pjesë në procesin zgjedhor.

Pas debatit, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, njoftoi se mbledhja do të shkojë në pauzë dhe do të rifillojë më pas me diskutime të mëtejshme.

Ndërkohë, drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, bëri të ditur se tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike do të mbahet të nesërmen, me fillim nga ora 14:00.

Tërheqja e subjekteve politike të certifikuara nga procesi zgjedhor parashihet në nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Subjekti politik i certifikuar mund të tërhiqet nga procesi zgjedhor duke i dorëzuar KQZ-së një njoftim me shkrim me të cilin shpreh qartazi qëllimin për tërheqje jo më vonë se dy (2) ditë të punës para datës së caktuar për hedhje të shortit për zgjedhje, të përcaktuar sipas nenit 25 paragrafi 1 të këtij ligji”, thuhet në këtë nen.

Nesër është gjithashtu afati i fundit për dorëzimin e listave zgjedhore me të cilat partitë politike do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

Presidentja Vjosa Osmani, megjithë kundërshtimet e shumicës së partive politike, e ka vlerësuar 28 dhjetorin si datën më të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme