KQZ-ja largon masën e pezullimit për AKR-në
Aleanca Kosova e Re (AKR) ka njoftuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka larguar masën e pezullimit, pas përmbushjes së të gjitha obligimeve ligjore të përcaktuara.
Përmes një komunikate për media, AKR-ja ka vlerësuar se një zhvillim i tillë shënon një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të mëtejshëm të këtij subjekti politik.
“AKR e konsideron këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të mëtejshëm institucional dhe politik të subjektit tonë. Ne mbetemi të përkushtuar për funksionim transparent, respektim të ligjit dhe përfaqësim dinjitoz të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Strukturat e reja të dala nga Kuvendi Zgjedhor do të angazhohen menjëherë në fuqizimin e partisë, rritjen e besimit qytetar dhe përgatitjen për sfidat e ardhshme politike”, është thënë në njoftimin e kësaj partie.
Kjo masë ishte vendosur më 12 mars 2026, ndërsa është hequr pasi AKR ka respektuar afatin ligjor prej 45 ditësh, duke mbajtur Kuvendin Zgjedhor dhe duke përmbushur kërkesat përkatëse procedurale.