KPM-ja aprovon ankesën për lajmin e rremë: Obligohet RTK-ja t'i jap hapësirë Nacionales për demant
Raportimi nga portali “Slobodna Bosna” dhe transmetimi i këtij raportimi në Radiotelevizionin e Kosovës me akuza të rënda për gazetën Nacionale, tashmë është trajtuar në Komisionin e Pavarur të Mediave. Sipas këtij vendimi ankesa e Nacionales është pranuar unanimisht, me asnjë votë kundër dhe RTK obligohet që t’i jap hapsirë Nacionales për demant.
Ndryshe, Gazeta Nacionale përveç ankesës në KPM ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore ndaj këtij raportimi që ka tronditur vendin.
“Slobodna Bosna” raportoi pa asnjë dokument, pa asnjë dëshmi, se dy portale në Kosovë, përfshirë Nacionalen, paguhen nga Serbia dhe presidenti serb. Lajmin e njëjtë, pa asnjë verifikim, e publikoi Radiotelevizioni i Kosovës në edicionin qendror të lajmeve dhe portalin RTKLive.
Për të gjitha këto akuza e shpifje, lajme skandaloze e të pavërtetuara, gazeta tashmë ka ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjorë.
Fillimisht, Nacionale ka aranzhuar një avokate në Bosnje dhe Hercegovinë, e cila ka filluar ta trajtojë rastin dhe realizimin e një padie ndaj portalit “Slobodna Bosna”. Portali në fjalë, ka me dhjetëra dënime tashmë për shpifje, dhe gjoba të mëdha nga Gjykata në Sarajevë, pavarësisht se pushteti në Kosovë e vlerësoi si “media kredibile”.
Gazeta Nacionale ka përpiluar ankesat drejtuar Komisionit të Pavarur të Mediave dhe Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës.
Për transmetin e këtij artikulli nga televizioni publik në dy format, të shkruar dhe audio-vizuele në edicionin e lajmeve, Nacionale tashmë ka deponuar padi pranë Gjykatës ndaj televizionit publik të Kosovës.
Gazeta Nacionale qysh në fillim ka kritikuar raportimin në fjalë, dhe është ankuar se nuk e ka pasur të drejtën e përgjigjes.
Lajmi është transmetuar edhe në portalin e RTKLive i cili fillimisht përmend me emra dy mediat kinse që financohen nga Serbia, megjithatë artikulli më vonë editohet.
Drejtori i TV në RTK, Rilind Gërvalla, ka dalur në mbrojtje të këtij raportimi, duke e vlerësuar se “Slobodna Bosna” është medium kredibil.
Ky raportim skandaloz nga “Slobodna Bosna” dhe i transmetuar nga RTK-ja, ka nxitur reagime të shumta vendore e ndërkombëtare në Kosovë. Si pasojë, ka pasur numër të madh sulmesh, ofendimesh e kërcënimesh ndaj stafit të Nacionales.
Nacionale falënderon Qendrën për Ndihmë Juridike Falas në kuadër të IKD-së për hartimin e ankesave në KPM dhe KMSHKZ.