Kosovarët s’mund të udhëtojnë në Spanjë as pas liberalizimit
Zëdhënësja e Komisionit Evropian për Çështje të Brendshme, Anitta Hipper, ka deklaruar se bartësit e pasaportave të Kosovës, nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, edhe pse liberalizimi I vizave vlen për të gjitha vendet e zonës Schengen.
“Njohja e dokumenteve të udhëtimit është një kompetencë shtetërore. Në mesin e vendeve të Schengenit, të gjithë, pos një vendi, i kanë njohur dokumentet e udhëtimit të Kosovës. Kjo do të thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën do t’iu mundësojë bartësve të pasaportave të Kosovës që të udhëtojnë pa viza në të gjitha këto vende, pos në njërin prej tyre.”- ka deklaruar ajo.
Edhe pse spanja nuk e njeh Kosovën, gjatë procesit të miratimit të vendimit për vizat, nuk ka kundërshtuar.
Spanja, nga 1 korrikut merr edhe kryesimin e Bashkimit Evropian, është më e zëshme sesa katër vendet tjera të BE-së që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, të cilat I njohin pasaportat e leshuara nga Kosova.
Kujtojmë se më 18 prill, Parlamenti Evropian e ka miratuar vendimin për vizat, ndërsa dokumenti është nënshkruar më 19 prill.
Vendimi parasheh që qytetarët e Kosovës, të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen, prej 1 janarit të vitit 2024. /REL