Kosova po ecën vetëm kundër Ballkanit të Hapur - NACIONALE

Kosova po ecën vetëm kundër Ballkanit të Hapur

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Republika e Kosovës rrezikon të mbetet vendi i vetëm në rajon që kundërshton iniciativën rajonale Ballkani i Hapur. Pas Malit të Zi, edhe Bosnja mund të ndryshojë qëndrimin ndaj kësaj nisme. Sipas njohësve të rrethanave politike, këmbëngulja e Kosovës në kundërshtimin e kësaj ideje nuk e ndihmon pozicionin e saj në rrugën drejtë BE-së.

Numri i vendeve të Ballkanit Perëndimor që po kundërshtojnë iniciativën rajonale Ballkani i Hapur, po zvogëlohet. Mali i Zi shumë shpejt pritet të bëhet pjesë e kësaj nisme, ndërsa zgjedhjet e reja në Bosnjë e Hercegovinë mund të sjellin ndryshimin e qëndrimit të këtij shteti.

Në këtë mënyrë, Kosova po mbetet vendi i vetëm në rajon që po e kundërshton fuqishëm Ballkanin e Hapur, i cili është themeluar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia.

Këmbëngulja e Kosovës në kundërshtimin e kësaj ideje nuk po shihet si pozicion i favorshëm për shtetin më të ri në Evropë.

Njohësit e proceseve integruese kanë bërë me dije se Kosova duhet të reflektojë në këtë drejtim.

Analisti politik Ilir Ibrahimi, ka thënë për gazetën Nacionale se Kosova po e kundërshton këtë nismë vetëm për shkak të autorëve të saj.

“Me qeverinë e re, Mali i Zi po kthehet në rirreshtim me aleatët perëndimorë, pas një sfide që patën me qeverinë e kaluar pro-serbe dhe pro-ruse. Edhe qëndrimi pro Open Ballkan në këtë rast është i natyrshëm. Integrimi dhe bashkëpunimi rajonal është vlerë perëndimore dhe përkrahet nga këto qendra”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova duhet të bëhet pjesë e çdo tavoline ku trajtohet në mënyrë të barabartë.

“Kundërshtimi që i është bërë Open Ballkan më tepër është bërë për të kundërshtuar ideatorët se sa idenë. Unë kam mbajtur qëndrimin që Kosova të bëhet pjesë e çdo tavoline ku përfaqësohet si e barabartë dhe të mos ndihet inferiore”, është shprehur ai.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani, ka treguar për gazetën Nacionale se mospërfshirja e Kosovës në projektin e gazsjellësit amerikan dhe në këtë Ballkanin e Hapur është gabim.

Ai ka vlerësuar se me përfshirjen e Kosovës në këtë iniciativë do të ulej edhe ndikimi i Serbisë.

“E njëjta vlen edhe për Ballkanin e Hapur: kjo ide, nga qielli shihet, favorizon Serbinë, por jo me paramendim, por me vetë faktin që Serbia ka një preponderancë politike dhe ekonomike më të madhe se të gjitha vendet e rajonit marrë së bashku. Por, kur krejt bëhen bashkë, me Kosovën brenda, Serbia ka më pak ndikim. E njëjta logjikë do të vlejë edhe nëse aktivizohet Procesi Berlinit. Asnjë dallim nuk ka në esencë në mes tyre”, ka thënë Hasani.

Ndërsa njohësi i rrethanave politike, Visar Ymeri, ka treguar se duke e kundërshtuar këtë iniciativë, Kosova po çalon në integrimet rajonale.

Ai ka thënë se integrimi në BE kalon përmes integrimit rajonal.

“Mendoj se edhe këtu po çalojmë shumë dhe po humbim shumë. E keni parë se prej se ka ardhur qeveria e re në Malin e Zi janë shtuar zërat që është çështje kohe derisa Mali i Zi të bëhet pjesë e Open Ballkan. Në Shqipëri kanë filluar të flasin që qysh pas zgjedhjeve në Bosnjë, kurdo që të mbahen, me një qeveri të re të Bosnjës edhe Bosnja do të bëhet pjesë e Open Ballkan. Nëse kjo ndodh, atëherë vetëm Kosova mbetet vend i paintegruar”, ka thënë Ymeri në një debat të organizuar nga KDI.

Ballkani i Hapur përplas Osmanin dhe Abazoviqin

Lëvizja e Malit të Zi në drejtim të hyrjes në Ballkanin e Hapur nuk është pritur mirë nga Kosova.

Kjo ka nxitur një debat ndërmjet Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në Samitin e Demokracisë në Evropën Juglindore që po mbahet në Mal të Zi.

Kryeministri malazez ka deklaruar se vendi i tij këtë nismë rajonale e ka kritikuar vetëm për shkak që është propozuar nga Serbia.

“Për mendimin tim, një pjesë e shoqërisë në Mal të Zi e kundërshton, vetëm sepse është kundër çdo gjëje që është Serbia. Ata nuk e kanë problem nismën, por kanë problem personal”, ka deklarua Abazoviq.

Ai ka vlerësuar se problemet personale në politikë shpeshherë nuk japin mundësi për ndonjë lloj vizioni.

“Unë nuk po angazhohem për ‘Ballkanin e Hapur’ ose për Procesin e Berlinit apo ndonjë nismë tjetër. Unë po angazhohem për bashkëpunimin rajonal. Çdo nismë që ka për qëllim bashkëpunimin rajonal, gjithçka që mund të shfrytëzojmë për bashkëpunim, është sukses”, ka deklaruar Abazoviq.

Këto komente nuk i kanë pëlqyer presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka akuzuar presidentin serb.

“Se a është dikush lider i zgjedhur në mënyrë demokratike, që beson në vlerat e sundimit të ligjit, të drejtat e njeriut dhe në demokracinë dhe a është dikush ish-ministër i propagandës së regjimit të Milosheviqit, kjo duhet të ketë rëndësi. Në të kundërtën, porosia që po dërgojmë është se nuk ka rëndësi nëse je Zelensky apo Putin”, theksoi Osmani.

Kundërshtimi i Open Ballkan është prej pak çështjeve që në Kosovë bashkon pozitën dhe opozitën. Sikurse pushteti dhe partitë opozitare mendojnë se Kosova duhet të përfaqësohet si e barabartë, gjegjësisht si shtet i pavarur edhe në këtë nismë.

Mali i Zi ka paralajmëruar se do të marrë pjesë në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur, i cili do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Çfarë është Ballkani i Hapur?

Plani për krijimin e Ballkanit të Hapur është bëtë më 10 tetor të vitit 2019 në Novi Sad të Serbisë, ku kanë marrë pjesë udhëheqësit e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Synimi i kësaj nisme rajonale, e cila fillimisht është quajtur “Mini Schengen”, është rritja e bashkëpunimit në mes ë vendeve të rajonit, duke lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe lëvizjen e njerëzve.

Tri shtetet themeluese deri më tani kanë mbajtur disa takime, ku kanë nënshkruar edhe marrëveshje dhe memorandume që kanë për qëllim lëvizjen e lirë të qytetarëve, lehtësimin e importit dhe rritjen e bashkëpunimit për qasje të lirë në tregun e punës.

Themeluesit e kësaj nisme vazhdimisht i kanë ftuar edhe tri vendet tjera që t’i bashkohen kësaj nisme rajonale, por deri më tani, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja, kanë kundërshtuar.

Lajme të ngjashme