Kosova nuk e ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit me aplikimin për anëtarësim në KE - NACIONALE

Kosova nuk e ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit me aplikimin për anëtarësim në KE

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Departamenti Amerikan i Shtetit dhe njohësit e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, kanë mohuar pretendimet e Serbisë se Kosova me aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit.

Ata kanë vlerësuar se dakoridimi i Uashingtonit që Kosova të mos aplikojë për anëtarësim në asnjë organizatë ka qenë i vlefshëm vetëm për një vit.

Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë me dije se Kosova dhe Serbia janë sovrane që të vendosin për prioritetet e tyre në politikë të jashtme.

“Kosova dhe Serbia janë shtete sovrane, të cilat kanë të drejtë të zgjedhin vetë prioritetet e tyre për politikë të jashtme”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, duke treguar për synimet që ka pasur memorandumi i vitit 2020.

“Moratoriumi ka pasur synim të rrisë hapësirën për bisedime dhe kompromis mes Kosovës dhe Serbisë, çka ne besojmë se përbën interes strategjik për të dyja shtetet”, ka vlerësuar Departamenti Amerikan i Shtetit.

Ky institucion ka vlerësuar se dialogu në mes të dy shteteve është e vetmja alternativë për të zgjidhur të gjitha problemet.

“Ne vazhdojmë të besojmë se dialogu për normalizim të marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, është kyç për të dyja shtetet, në mënyrë që t’i hapin rrugë të ardhmes evropiane. Ne bëjmë thirrje për pjesëmarrje urgjente, fleksibile dhe serioze në këtë proces”, ka thënë Departamenti Amerikan i Shtetit.

Edhe monitoruesit e procesit të dialogut Kosovë-Serbi kanë treguar se Kosova nuk e ka shkelur marrëveshjen e Uashingtonit.

Violeta Haxholli, hulumtuese në KDI, ka vlerësuar se pika e asaj marrëveshje në të cilën Kosova është zotuar që të mos aplikojë për një vit në organizata ndërkombëtare, ka skaduar më 4 shtator të vitit të kaluar.

“Me aplikim në Këshillin e Evropës, Kosova nuk e shkel Marrëveshjen e Uashingtonit të vitit 2020. Pika e kësaj marrëveshjeje në të cilën Kosova është zotuar që të mos aplikojë 1 vit në organizata ndërkombëtare, ka skaduar më 4 shtator 2021”, ka shkruar Haxholli në profilin e saj në Facebook.

Pas aplikimit për anëtarësim të Kosovës në KE, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thirrur për sot mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Ai ka akuzuar Kosovën se me këtë veprim ka shkelur marrëveshjen e Uashingtonit.

“Me këtë, Prishtina ka treguar se ka thyer një marrëveshje tjetër, atë të Uashingtonit, e kanë shkelur brutalisht dhe nuk shqetësohen për asgjë, e kanë shkelur marrëveshjen e Brukselit për 10 vjet dhe tani pas kësaj kanë shkelur brutalisht marrëveshjen e Uashingtonit dhe rezolutën 1244. Neve na takon të mos hyjmë në urrejtje, konflikt, por të japim një përgjigje në mënyrë racionale”, ka thënë Vuçiq.

Pas dorëzimin të aplikacionit për anëtarësim, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se me këtë rast po hapet një kapitull i ri për Kosovën.

“Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshsillit të Evropës, të Asamblesë parlamentare dhe në fund edhe te Këshilli Ministror. Kosova është vendi më demokrattik në rajon, Kosova është vendi më proevropian në rajon dhe Kosova është vendi më optimist në rajon, prandaj Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës dhe kjo procedurë të cilën e kemi nisur sot do të përfundojë me anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe me këtë me forcim të të drejtave të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe qasje të tyre në instanca evropiane”, ka thënë Gërvalla përmes një video-mesazhi të publikuar në profilin e saj në Facebook.

Në shtator të vitit 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit.

Me këtë marrëveshje, Kosova është pajtuar për një moratorium njëvjeçar mbi përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia ka rënë dakord për një moratorium - po ashtu njëvjeçar - mbi fushatën e saj kundër njohjeve të Kosovës si shtet.

Lajme të ngjashme