Kosova me sukses votohet anëtare e asocuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s
Me vetëm një votë kundër dhe 14 abstenime Kosovës i është miratuar avancimi i statusit prej një anëtare thjesht-vëzhguese në anëtare të asocuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s këtë të hëne në mbledhjen në Sofje të Bullgarisë.
Kuvendi i Kosovës që që nga viti 2014 gëzonte statusin/pozitën e një vëzhguesi tash gëzon të drejta dhe priviliegje më të larta të pjesëmarrjes në seanca të AP-së së NATO-s, të propozojë rezoluta (etj.) por se nuk gëzon edhe të drejtën e votës.
Për marrjen e vendimit pozitiv në këtë seancë njoftoi edhe deputeti i Vetëvendosjes, Driton Hyseni, i cili e quajti “lajm të mirë” teksa shtoi edhe se përpjekjet e Serbisë për të penguar këtë avancim të statusit të Kosovës në këtë organizatë ishin pa rezultat.
“Me vendim të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, nga sot, 27 maj 2024, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Avancimi i statusit vjen pas disa viteve të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Asamblesë Parlamentare të NATO-s”, shkroi Hyseni në Facebook.
“Letrat e shumta e përpjekjet e vazhdueshme të delegacionit të Serbisë por edhe të akterëve tjerë politik në Beograd nuk ja dolën të ndalin Kosovën drejt avancimit të statusit. Ju përcjell urimet më të përzemërta nga Sofje e Bullgarisë. I priftë e mbara Kosovës tonë!”, tha mes tjerash ai.
Qysh më 24 mars Kuvendi i Kosovës kishte njoftuar – duke e dhënë edhe për të mirëqenë – se në fund të majit Kosova do të elevohej për nga statusi në këtë organizatë.
“Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit në Asamblenë e NATO-s do të ketë zgjerim të delegacionit, Kosova përfshirje më të madhe në vendimet e Asamblesë dhe të drejtë në adresimin e amendamenteve dhe komenteve për secilin proces e dokument i cili trajtohet nga Asambleja, të cilat më herët është dashur të bëhen përmes delegacioneve të vendeve tjera, kryesisht Shqipërisë”, kishte shkruar Kuvendi i Kosovës.
Çfarë do të thotë kjo?
Prej një pjesëmarrje prej vëzhguesi delegacioni kosovar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në Anëtar i Asociacuar Kosova kësisoji duke u nivelizuar për nga prezenca e saj në NATO edhe me vendet fqinje në rajon si Bosnje-Hercegovina (me tre delegatë) dhe Serbia (me pesë delegatë).
Për Ministrin e Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci kjo përbënte “hap të madh për sigurinë” ngritjen e statusit të delegacionit kosvoar, por edhe “për prosperitetin e Kosovës dhe rajonit”.
Anëtarët e asociuar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s gëzojnë jo edhe privilegje të pakta, por që megjithatë nuk kanë të drejtë të plota votimi.
Anëtarët e asocuar mund të marrin pjesë thuajse në të gjitha mbledhjet e komisoneve, nënkomisioneve dhe seancat parlamentare.
Megjithatë, ndryshe nga anëtarët e plotë të NATO-s, anëtarët e asociuar si Kosova, Bosnje-Hercegovina dhe Serbia nuk kanë të drejtë vote në raporte, rezoluta apo pozita udhëheqëse brenda Asamblesë.
Gjithashtu, nuk kontribuojnë financiarisht në buxhetin e Asamblesë.
Pavarësisht këtyre kufizimeve, anëtarësimi i asociuar u ofron këtyre vendeve mundësi të vlefshme për dialog dhe partneritet me vendet anëtare të NATO-s. U lejon atyre të krijojnë marrëdhënie me ligjvënës nga vendet e NATO-s, duke nxitur besimin dhe bashkëpunimin për çështjet e sigurisë.
Për më tepër, anëtarësimi i asociuar mund të shërbejë si një hap për vendet që aspirojnë të bëhen anëtarë të plotë të NATO-s. Kjo u jep atyre qmundësinë për t'u njohur me strukturat, procedurat dhe vlerat e NATO-s duke shfaqur përkushtimin e tyre për sigurinë kolektive.
Pjesëmarrja në Asamblenë Parlamentare të NATO-s rrit dukshmërinë ndërkombëtare të anëtarëve të asociuar, duke u mundësuar atyre të promovojnë në mënyrë efektive interesat e tyre të sigurisë dhe pozicionet globale.
Ndonëse anëtarët e asociuar nuk kanë të drejta të plota votimi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ata ende luajnë një rol vendimtar në pasurimin e aktiviteteve të Asamblesë nëpërmjet pjesëmarrjes aktive, shkëmbimit të ekspertizës dhe ndikimit në diskutime.