Kosova jashtë Programit 7.5 miliardësh të Evropës Digjitale, opozita e quan "dështim të madh" - NACIONALE

Kosova jashtë Programit 7.5 miliardësh të Evropës Digjitale, opozita e quan "dështim të madh"

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në një epokë ku teknologjia po ndryshon botën me një shpejtësi, Kosova - duke qenë shumë prapa vendeve evropiane - po rrezikon të mbetet prapa edhe ndaj vendeve të rajonit duke e humbur një shans të madh. Bëhet fjalë për një program miliardësh të Bashkimit Evropian që synon të përshpejtojë hapat e zhvillimit teknologjik. Ky program synon të përshpejtojë transformimin digjital të Evropës dhe të sigurojë financim për projekte në fushat e teknologjisë dhe inovacionit. Derisa vendet e rajonit, si Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, kanë përfituar nga ky program, lënia jashtë e Kosovës ka sjellë shqetësime dhe reagime nga opozita, ndërkohë që udhëheqësit e qeverisë kanë heshtur.

"Dëm i madh"

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka kërkuar llogari dhe përgjegjësi nga pushteti për këtë situatë. Ata e kanë cilësuar përjashtimin e Kosovës nga Programi i Evropës Digjitale si një "dëm të madh" për vendin. Deputeti Avdullah Hoti nga LDK shkroi në Facebook se është një dëm i madh që Kosova nuk është pjesë e këtij programi të BE-së.

“Dëm i madh që Kosova nuk është pjesë e Programit të Evropës Digjitale të BE-së” – ka shkruar deputeti Avdullah Hoti në Facebook.

Reagim të gjatë në Facebook pati edhe nga deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, e cila ka shprehur dyshime rreth arsyeve të përjashtimit të Kosovës nga ky program. Ajo ka ftuar qeverinë që të japë sqarim për vendimin dhe të trajtojë sektorin digjital në vend.

Kica-Xhelili ka ftuar qeverinë t’i tregoj sektorit digjital arsyet se pse Kosova është jashtë këtij programi.

“Le t’i tregoj Qeveria sot gjithë sektorit digjital të Kosovës, pse Kosova nuk është pjesë e Programit të Europës Digjitale në vlerë prej 7,5 miliard euro, ndërkaq Shqipëria, Serbia, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut po. Kosova s’ka shumë që u përzgjodh si TechHub i Ballkanit për shkak të kapaciteteve të jashtëzakonshme të rinisë tonë. E para në rajon dhe e 11-ta në Evropë. E merituam më shumë se kushdo në rajon. Sa teori, praktika e politika shtesë izolacioniste na duhen për të kuptuar sa mbrapshtë e konceptojnë këta “zhvillimin” e vendit? Apo edhe kjo është veç “masë” e jo sanksion? Mëkat, turp, dështim e çka jo!” – ka thënë ajo.

Sanksion?

“Krisja” e marrëdhënieve mes Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian si rezultat i zhvillimeve të fundit në veri të vendit ka bërë që këta të fundit të përgatisin masa sanksionuese kundër Kosovër për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.

Siç kishte mësuar REL, mes masave sanksionuese përfshiheshin edhe “pasojat financiare”, konkretisht bëhet fjalë për një pëzullim i fondeve të Bashkimit Evropian për Kosovën.

Mes masave sanksionuese financiare, REL kishe mësuar se do të përfshiheshin edhe “takimet në kuadër të bashkëpunimit financiar”, gjë që mund të sugjerojë se mospërfshirja e Kosovës në këtë program mund të jetë shkak-pasojë e sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës.

Çka është Programi i Evropës Digjitale?

Katër vende të Ballkanit Perëndimor janë bërë tashmë pjesë e Programit të Evropës Digjitale. Ky Program krijo një mori mundësish për individët, institucionet qeveritare dhe grupet e tjera që të aplikojnë për të marrë pjesë në programin e financimit prej 7.5 miliardë eurosh.

Programi i Evropës Digjitale është programi i parë i BE-së që synon të përshpejtojë rimëkëmbjen dhe të nxisë transformimin digjital të Evropës.

Me vlerë 7.6 miliardë euro (në çmimet aktuale),Programi është pjesë e buxhetit të ardhshëm afatgjatë të BE-së, (Korniza Financiare Shumëvjeçare), dhe mbulon 2021 deri në 2027. Ai do të sigurojë financim për projekte në pesë fusha vendimtare: superkompjutera , inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike, aftësitë e avancuara dixhitale dhe sigurimin e përdorimit të gjerë të teknologjive dixhitale në të gjithë ekonominë dhe shoqërinë.

Programi është përshtatur mirë për të mbushur boshllëkun midis kërkimit të teknologjive digjitale dhe vendosjes së tyre, dhe për të sjellë rezultatet e kërkimit në treg - për të mirën e qytetarëve dhe bizneseve të Evropës, dhe në veçanti SME-ve.

Lajme të ngjashme