“Kosova është pjesë e Serbisë”: Deputeti britanik që po e përkrah Gazën, e vajtonte bombardimin e Beogradit - NACIONALE

“Kosova është pjesë e Serbisë”: Deputeti britanik që po e përkrah Gazën, e vajtonte bombardimin e Beogradit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

George Galloway u bë lajm në mediat britanike pas rikthimit të tij me fitore në dhomën e ulët të Kuvendit të Britanisë. Fitorja e tij erdhi pas një fushate në mbrojtje të Gazës e kundër Izraelit. Megjithatë, duket se ai nuk është "fort" parimor, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Galloway nuk ka shfaqur dhembshuri të tillë edhe për civilët e Kosovës, kur ata po vriteshin e po masakroheshin nga forcat serbe në luftë. Përkundrazi, del se e ka kundërshtuar vazhdimisht shtetësinë e Kosovës dhe i ka mbrojtur Serbinë e ish-Jugosllavinë, duke dalë edhe kundër NATO-s.

“Kosova nuk është shtet. Kurrë nuk ka qenë. Madje as e njohur nga anëtarë të BE-së. Ata kurrë nuk i përgjigjen pyetjes, nëse Kosova mund të jetë shtet, pse jo Krimea ose Khersoni ose Katalonja? Sepse nuk ka përgjigje” – shkroi Galloway në rrjetin X në qershor të vitit të kaluar, duke e krahasuar vendin tonë me rajonin jugor të Ukrainës.

Ky nuk është i vetmi rast kur deputeti Galloway del kundër Kosovës. Në maj të vitit të kaluar, në një video të publikuar në llogarinë e tij në “Facebook”, ai flet para objekteve të bombarduara nga NATO-ja në Beograd, duke e vajtuar shkatërrimin e Jugosllavisë.

“Ju thonë se NATO-ja është organizatë mbrojtëse. Thuajani këtë njerëzve të ish-Jugosllavisë. Thuajani këtë njerëzve të Beogradit. Për gati tre muaj, ata [anëtarët e NATO-s] po bombardonin dhe po vrisnin, këtu, në zemër të Evropës. NATO-ja është, siç ka qenë gjithmonë, një front për perandorinë amerikane” – thotë Galloway në video, përderisa shfaqen objektet e bombarduara nga NATO-ja në Beograd.

“Nëse ju jeni duke e përkrahur atë [NATO-n], ju jeni duke vepruar kundër interesave të njerëzve të Evropës. Ju jeni duke vepruar sipas interesave të mbizotërimit të vazhdueshëm të globit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës” – shton ai në këtë video.

Në të njëjtën video, Galloway e vajton edhe bombardimin e ambasadës kineze në Beograd më 1999 dhe të radiotelevizionit shtetëror.

“Ata [anëtarët e NATO-s] vepruan kështu me qëllim që t’i kompletonin shkatërrimin dhe copëtimin e ish-Republikës Socialiste të Jugosllavisë. Askush shumë nuk tha ose nuk bëri ndonjë gjë kundër kësaj, në Britani ose në Evropë si tërësi” – dëgjohet duke thënë Galloway në videon e incizuar në Beograd.

Kundërshtimi i shtetit të Kosovës nga ana e tij daton edhe para shpalljes së Pavarësisë. Në një shkrim të publikuar në “Daily Record” më 2007, Galloway shkruan: “Kosova është pjesë e Serbisë. Ky është fakt ligjor dhe politik. Ajo dëshiron që të ndahet dhe duket se e ka siguruar pajtueshmërinë britanike dhe amerikane, por jo, mjerisht, pajtueshmërinë qoftë të Serbisë, tokë e së cilës është, ose të Rusisë, e cila do të bllokojë me veto çfarëdo ndarjeje në OKB.”

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) e ka pushtetin dhe ka thënë se do të bëjë një shpallje të njëanshme të pavarësisë së shpejti. Serbët nuk mund ta lejojnë Kosovën, e shenjtë ndaj trashëgimisë së tyre të krishterë ortodokse për një mijë vjet, që të shkojë pa një luftim” – shkruante ai në dhjetor të vitit 2007, pak javë para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Lajme të ngjashme