Kosova drejt një përplasjeje të re me aleatët, opozita hesht: PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja asnjë fjalë për çështjen e dinarit
Opozitës nuk i ka bërë përshtypje përplasja e re e Qeverisë së Kosovës me aleatët perëndimorë në lidhje me ndalimin e dinarit serb në Kosovës.
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë zgjedhur heshtjen në raport me kërkesën e SHBA-së dhe BE-së që Kosova të mos e zbatojë rregullore të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila e ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovës dhe përcakton që vetëm valuta euro të përdorët për pagesa me para të gatshme në gjithë Kosovën.
Ndonëse janë bërë disa ditë që BE-ja dhe SHBA-ja kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit i kësaj rregullore, tri partitë opozitare parlamentare nuk kanë dhënë asnjë qëndrim për këtë çështje.
Madje, zyrtarët e tyre i janë shmangur kësaj teme edhe kur janë pyetur.
Analisti Visar Ymeri ka kërkuar që opozita të këtë qëndrim për çështjen në fjalë.
Mbrëmë, në emisionin “Debat Plus”, ai këtë pyetje ia ka shtruar deputetes së LDK-së Doarsa Kica-Xhelili, por kjo e fundit nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.
“LDK-ja e ka bërë një dallueshmëri me qeverinë kur flasim për zhvillimi e ekonomik, për arsimin e kështu me radhë. Por, në këto pikat që po shihet qartë se do të jenë pikat kryesore të fushatës së Kurtit, LDK-ja nuk e ka bërë dallimin. Tash e kemi çështjen e dinarit. Çka duhet më bë me çështjen e dinarit, sipas LKD-së?”, ka pyetur Ymeri.
Deputetja e LDK-së ka injoruar këtë pyetur, duke folur krejt diçka tjetër.
Deri me tani as zyrtarët e PDK-së dhe AAK-së nuk kanë folur për këtë çështje.
Amerikanët e shtojnë presionin
Pavarësisht kërkesave të SHBA-së dhe BE-së që të shtyhet zbatimi i kësaj rregullore, Qeveria e Kosovës ka vendosur të fillon më 1 shkurt zbatimin e rregullores, ndonëse përmes një periudhe të papërcaktuar tranzicioni të lehtësuar.
Mbrëmë edhe Departamenti i Shtetit i ka kërkuar Qeverisë që të shtyj zbatimin e kësaj rregullore.
“Ne bëjmë thirrje sërish që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet menjëherë derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe popullata të jetë edukuar mjaftueshëm se si do të vazhdojë periudha kalimtare. Vendimi u shpall pa përgatitje apo konsultim adekuat”, është thënë në një përgjigje të Departmetit amerikan të Shtetit për “Zërin e Amerikës”.
Sipas DASh nuk ka pasur ndonjë urgjencë për zbatimin e kësaj rregullore.
“Nuk kemi dëgjuar asnjë përgjigje të përshtatshme. Shumë qytetarë të Kosovës tani nuk e dinë se si do t'i paguajnë faturat apo do t'i marrin pensionet. Ky veprim nuk është gjithashtu në përputhje me përkushtimin e Kosovës për të punuar përmes Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të adresuar çështjet që ndikojnë në mirëqenien e komunitetit të pakicës serbe”, ka vlerësuar DASh.
Më tej, është thënë se një veprim i tillë mund të sjell pasoja për Kosovën.
“Pasoja e këtij dhe veprimeve të ngjashme të njëanshme i kufizon mundësitë e Shteteve të Bashkuara si avokate e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka vlerësuar DASh.
Gjatë ditës se djeshme, edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier ka kërkuar nga Kosovës shtyerjen e zbatimit të kësja rregullore.
Një gjë të tillë e ka kërkuar edhe BE-ja.
Përmes një deklarate zyrtare, BE-ja ka vlerësuar rregullorja do të ndikojë edhe në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia.
“Bashkimi Evropian merr parasysh rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila pritet të hyjë në fuqi sot. Rregullorja synon të rrisë transparencën e flukseve financiare, të sigurojë stabilitetin financiar dhe të luftojë pastrimin dhe falsifikimin e parave. BE-ja vëren se rregullorja do të ndikojë edhe në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia”, është thënë në deklaratën e BE-së, duke shprehur shqetësimin e tyre për këtë cështje.
“BE-ja është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment”, ka theksuar BE-ja.