"Koordinimi me aleatë": Çka duhet të mësojë Kosova nga miratimi i rezolutës për Srebrenicën?
Dje, Asambleja e Pergjitshme e Kombëve të Bashkuara, përmes votimit, e shpalli 11 Korrikun si datën e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnje dhe Hercegovinës. Për këtë arritje të madhe, ka pasur shumë reagime në Kosovë. Ndërsa liderët institucionalë e mirëpritën këtë vendim të OKB-së, opozita dhe analistët kanë vënë theksin te kontributi i aleatëve perëndimorë për të shtyrë përpara këtë rezolutë.
Mësimi numër një për Kosovën është që arritjet e mëdha, të tilla si rezoluta për gjenocid, bëhen me aleatë. Mësimi numër dy lidhet me nevojën e përhershme për dokumentuar gjenocidin në arenën ndërkombëtare. Mësimi numër tre ka të bëjë me përpjekjet e vazhdueshme për të luftuar revizionimin e historisë dhe nevojën për mirëmbajtjen e kujtesës mbi gjenocidin.
Sekretarja e përgjitshme e PDK-së, Vlora Çitaku ishte ndër të parat që foli për rëndësinë e koordinimit me aleatët. Çitaku vlerësoi se kjo arritje e madhe e boshnjakëve myslimanë ka ndodhur për shkak të koordinimit të aleatëve.
“Ja çka sjellë koordinimi me aleatët.
Disfatë e merituar e Serbisë.” – shkroi zonja Çitaku mbrëmë.
Në këtë frymë të komentimit ishte edhe analisti Agon Maliqi, i cili përmendi edhe “dehjën populiste” e “paranojat” që kanë kapluar Kosovën aktualisht.
“Fitoret dhe vendosjet e drejtësisë në marrëdhënie ndërkombëtare arrihen me aleanca dhe koordinim. Kjo ka qenë pak a shumë Kosova në vitet 2008-2014, por vendosëm me u kaplu nga paranojat dhe dehja populliste” – ka shkruar Maliqi.
Në anën tjetër, Lirim Mehmetaj, analist i përhershëm në “Debat Plus”, ishte edhe më i ashpër në gjuhë. Sipas Mehmetajt, LVV-ja dhe Serbia aktualisht janë të pakënaqur me perëndimin.
“Me propozim të Gjermanisë dhe mbështetur nga të gjitha vendet perëndimore, Asambleja e Kombeve të Bashkuara e ka miratuar rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë, duke goditur kështu direkt Serbinë për çfarë ka ndodhur në Bosnje.
A, këta budalltë e Vetëvendosjes iu ligjërojnë militantëve të vet qysh SHBA, Gjermania, Franca, Italia etj janë kundër Kosovës dhe i mbrojnë interesat e Serbisë.
Aktualisht, të pakënaqur me perëndimin janë Serbia dhe Lëvizja Vetëvendosje” – ka shkruar Mehmetaj.
Sjellim ndër mend që në vitin 2025 shënohet 33 vjetori i gjenocidit të Srebrenicë, ku humbën jetën të paktën 8,372 mijë persona, ndërsa mijëra të tjerë u zhvendosën dhe fmailjet e komunitetet e boshnjakëve myslimanë u shkatërruan.
Ndryshe, këtë rezolutë e kanë përshëndetuar kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe udhëheqës të tjerë institucionalë e partiakë.
Çka përmban rezoluta?
Përmes rezolutës është caktuar që 11 korriku të jetë dita ndërkombëtare e reflektimit dhe përkujtimit të gjenocidit të 1995 në Srebrenicë. Në këtë rezolutë janë dënuar përpjekjet për revizionimin e historisë dhe mohimin e gjenocidit.
“Dënon pa rezerva çdo mohim të gjenocidit të Srebrenicës si një ngjarje historike dhe u kërkon shteteve anëtare të ruajnë faktet e vërtetuara, duke përfshirë përmes sistemeve të tyre arsimore duke zhvilluar programe të përshtatshme, gjithashtu në kujtim, drejt parandalimit të mohimit dhe shtrembërimit dhe shfaqjes së gjenocideve në të ardhmen” – thuhet në rezolutë.
“Gjithashtu dënon pa rezerva veprimet që lavdërojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin e Srebrenicës” – thuhet tutje.
Përmes rezolutës obligohet Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së që të krijojë një program informues për gjenocidin në Srebrenicë.
“6. Kërkon nga Sekretari i Përgjithshëm të krijojë një program informues të titulluar "Gjenocidi i Srebrenicës dhe Kombet e Bashkuara", duke filluar aktivitetet e tij me përgatitjet për përvjetorin e tridhjetë në 2025, dhe gjithashtu i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të sjellë në vëmendje këtë rezolutë të të gjitha shteteve anëtare, organizatave të sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të shoqërisë civile për respektimin e duhur” – thuhet aty.