Konventa e 11-të: PDK e bindur se do të shënojë fitore në zgjedhjet lokale të 12 tetorit - NACIONALE

Konventa e 11-të: PDK e bindur se do të shënojë fitore në zgjedhjet lokale të 12 tetorit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Partia Demokratike e Kosovës sot po mban Konventën e 11-të me radhë, ku do të zgjidhet kryetari i partisë dhe kryesia e re, derisa i vetmi kandidat është Memli Krasniqi. Ndërkohë, në fjalimet e deritanishme që janë mbajtur aty, kryefjalë kanë qenë zgjedhjet lokale.

Krasniqi në një fjalim të tij para zyrtarëve të partisë, tha se i presin shumë punë, duke përfshirë këtu “fitoren në zgjedhjet lokale”.

“Ky mandat mbaroi, por puna jo. PDK është në rritje, dhe rritja kërkon stabilitet. Po përgatitemi për fitore, dhe fitorja kërkon unitet. Prandaj, kërkoj mbështetjen tuaj për të vazhduar si Kryetar i juaji edhe në sfidat që i kemi përpara. Jo për pozitën, por për misionin. Jo për veten, por për rrugën që duhet ta ndjekim së bashku. Sepse punët që na presin: fitorja në zgjedhjet lokale, udhëheqja e qeverisë së ardhshme, rimëkëmbja ekonomike, forcimi i shtetit, kthimi i Kosovës në partner serioz ndërkombëtar, nuk mund të presin. Dhe ne duhet të jemi ata që i udhëheqin” – tha ai.

Krasniqi tha se në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit, PDK nuk garon vetëm për të rifituar komunat që i drejton aktualisht, por për t’i fituar edhe disa të tjera me radhë.

“Bedri Hamza, Agim Aliu, Shaqir Totaj, Fadil Nura, Ramiz Lladrovci, Ferit Idrizi, Besim Ilazi, Mehmeti Ballazhi, por edhe Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, janë shndërruar në kampionë të qeverisjes së mirë gjithandej Kosovës: Nga Jugu në Veri dhe nga Lindja në Perëndim! Ata janë kampionë të zhvillimit, transparencës dhe rezultateve, të konfirmuara e shpërblyera për këtë gjë. Tani, unë e kuptoj që vjen një periudhë ku secili person politik, për një arsye ose tjetër, ndjen se ka ardhur koha që t’u krijojë hapësirë gjeneratës së re. Dhe, natyrisht, për ta, ne do të kemi gjithmonë vetëm mirënjohje dhe falënderim, që kanë përfaqësuar me dinjitet identitetin e Partisë Demokratike të Kosovës. Por, po ashtu, zotohemi bashkë këtu se do të punojmë pa ndalur të gjithë për t’i mbështetur kandidatët dhe kandidatet tona në zgjedhjet e kësaj vjeshte, me bindjen se shërbimi i tyre për qytetarët do të jetë shembulli me të cilin do të mburremi bashkë” – deklaroi ai.

Zgjedhjet lokale i përmendi edhe kandidati i partisë për kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit, Bedri Hamza.

Para delegateve të PDK-së, ai tha se partia do të jetë e suksesshme edhe në zgjedhjet lokale.

“A e dini pse nxorëm rezultat më të mirë në zgjedhjet e 9 shkurtit? Sepse, ne e depolarizuam shoqërinë kur të tjerët provuan ta përçanin. Ne i bashkuam qytetarët rreth programit tonë. Në vend të retorikave boshe, ne ofruam program, zgjidhje, paga e mirëqenie më të mirë për qytetarët dhe transformim ekonomik për shtetin tonë. I lamë anash dallimet e vogla për t’u bashkuar rreth vlerave tona dhe interesit të përgjithshëm. Këtë po e bëjmë edhe sot në këtë konventë me vazhdimin e besimit për kryetarin Memli Krasniqi dhe për strukturat e reja të partisë. Këtë duhet ta bëjmë edhe më 12 tetor në çdo komunë të Kosovës dhe kurdo që në pyetje është interesi i qytetarëve dhe i shtetit tonë” – tha Hamza.

Lajme të ngjashme