Konsensusi politik, i nevojshëm me rastin e zgjedhjes së gjyqtarëve në Kushtetuese
Siç është raportuar nga gazeta Nacionale, më 29 mars do të mbahet intervista me shkrim me kandidatët për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese, e cila momentalisht ka 7 anëtarë. Ky proces është me interes për mbarë vendin, duke pasur parasysh rëndësinë që Gjykata Kushtetuese ka.
Ligji për Gjykatën Kushtetuese parasheh kritere mjaft të forta për këdo që synon pozitën e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese, duke përcaktuar se gjyqtarët duhet të jenë juristë të shquar me reputacion të shkëlqyeshëm profesional, që kanë përvojë pune profesionale të paktën 10-vjeçare, veçanërisht në fushën e së drejtës publike dhe kushtetuese. Por, krahas reputacionit profesional, ata duhet të kenë dhe reputacion të shkëlqyeshëm moral.
Tutje janë paraparë dhe disa kritere tjera me qëllim të sigurimit të paanshmërisë dhe pavarësisë. Por, çfarë duhet të kenë parasysh deputetët, nga të cilët varet përzgjedhja?
Në një intervistë për gazetën Nacionale, Profesori i Fakultetit Juridik, Florent Muçaj thotë se "Komisioni për vlerësimin e kandidatëve, përveç kritereve formale duhet të marrë parasysh edhe përvojën e kandidatëve në lëmin e drejtësisë, por edhe vlerësimin ta bëjë sipas kritereve të matshme objektive që të reflektojë në sytë e publikut, një proces të bazuar në meritokraci.".
Profesori ka folur dhe për rëndësinë e konsensusit politik, duke thënë se "Kushtetuta e Republikës së Kosovës parasheh një mekanizëm të zgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, i cili mekanizëm për t'u zbatuar kërkon një konsensus më të gjerë, që jo rrallë herë shkon përtej mazhorancës parlamentare, duke pasur parasysh sistemin tonë zgjedhor proporcional.".
"Përderisa për propozimin për emërim te Presidenti, kërkohet 2/3 e deputetëve të pranishëm dhe që votojnë, kjo nënkupton që sa më shumë deputetë që marrin pjesë në votim, aq më shumë rritet kuorumi i nevojshëm për të propozuar një kandidat për gjyqtar për votim te Presidenti i Republikës së Kosovës. Ky mekanizëm ka shkaktuar probleme gjithëherë në Kuvendin e Kosovës, për çka edhe më herët dhe disa herë tjera ka dështuar propozimi i kandidatëve për gjyqtar, edhe pse në garë shumë herë ka pasur kandidatë të përgatitur profesionalisht.".
"Nevoja për të pasur një konsensus në Kuvend, natyrshëm mund të ketë ndikuar në zgjatjen por edhe dështimin eventual të konkursit të kaluar, por edhe më herët.", përfundoi Muçaj.