Konjufca tha se dialogu është në arkivol, Besnik Bislimi e dakordoi me Lajçakun edhe datën për takimin e radhës - NACIONALE

Konjufca tha se dialogu është në arkivol, Besnik Bislimi e dakordoi me Lajçakun edhe datën për takimin e radhës

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufa, dje pati akuza të ashpra për ndërkombëtarët. Tha se janë të njëanshëm në relacionin Kosovë-Serbi, përderisa dialogu i Brukselit tha se ka përfunduar në arkivol.

“Unë konsideroj që sa i përket perpsektivës së dialogut, dialogu ndodhet tërësisht në qorrsokak prej të cilit nuk po shoh shumë rrugëdalje. Këtij qorrsokaku i ka kontribuar Serbia me veprimet e veta, unë mendoj që dialogu në formatin qysh ka qenë prej vitit 2011 e ka pas arkivolin më 24 shtator të vitit të kaluar me sulmin terrorist në Banjskë. Informatat që posedon edhe bashkësia ndërkombëtare, edhe institucionet tona të sigurisë, tregojnë qartë që ky grup i madh kriminal e ka pasur mbështetjen e drejtpërdrejt prej shtetit serb. Atyre i është foruar logjistika dhe krejt mbështetja shtetërore dhe poligonet ushtarake. Me ushtru, me marrë armë. Ka pasur edhe shkëmbim të armëve, kemi fakte. Për këtë arsye është shkatërruar edhe minimumi i mirëbesimit që kërkohet në negociata. Banjska ishte gozhda e fundit në arkivolin e dialogut të Brukselit”, tha Konjufca.

“Bllokimi i fundit ndodhi prej shtetit serb, Serbia i lejoi kriminelët me i blloku kufijtë. Asnjë reagim nuk e pashë nga ana e Brukselit. Bashkësia ndërkombëtare është e njënashme në realcionet mes Kosovës dhe Serbisë. Duhet një drejtim krejt i ri. Faktorët ndërkombëtarë kanë qenë të rezervuar sa i përket ndarjes dhe rezultatit të hetimeve për Banjskën. Kjo nuk do të thotë që hetimet nuk ekzistojnë e që raportet nuk janë përfunduar. Rezultatet janë kryer, dhe hetimet përgjithësisht edhe shtetet i kanë kryer. Duke përfshirë edhe NATO-n”, tha ai, raporton Nacionale.

Megjithatë, 24 orë pas kësaj deklarate, emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, do të qëndrojë në Beograd. Ai pritet të zhvillojë disa takime, për ta përgatitur takimin e radhës në Bruksel mes Besnik Bislimit e Petar Petkoviq.

Takimet i ka konfirmuar edhe zyra për media në presidencën e Serbisë, kurse një gjë të tillë e kishte bërë të ditur edhe vetë Lajçak.

Madje edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi po bëhet gati për një takim me Petar Petkoviqin në nivel kryenegociatorësh.

Ai u mor vesh edhe për datën në një takim me të dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, i cili ishte të premten në Prishtinë.

“Jemi marrë vesh për një datë për takim, por nuk dua ta bëj të ditur”, tha ndërmjetësuesi europian.

Diskutimet e Bislimit me Lajçakun, siç tha Zyra e Kryeministrit, u përqendruan te “rruga përpara me planin e sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit”.

Bislimi shprehu përkushtimin për t’u ulur në dialog me palën serbe.

“Ai nënvizoi se Qeveria së Republikës së Kosovës në vazhdimësi është angazhuar si palë konstruktive në dialog. Si e tillë ajo mbetet e përkushtuar për zbatim të plotë e të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit dhe e bindur që nënshkrimi i saj është garanca e duhur dhe nevojshme për zbatimin e plotë nga Serbia dhe llogaridhënien për shkeljet e vazhdueshme prej saj”, u tha në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Lajme të ngjashme