Konjufca: Lëvizja Vetëvendosje nuk ka kurrëfarë vote për Listën Serbe
Nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca, ka bërë me dije se kjo parti nuk e voton asnjë deputet të Listës Serbe për nënkryetar.
Para fillimit të seancës, ai ka komentuar aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, ky aktgjykim nuk i jep të drejtën e vetos askujt.
“Pas këtij aktgjykimi të plotë të Gjykatës Kushtetuese u bë e qartë se nuk ka kurrfarë te drejte te vetos të askujt në konstituimin e Kuvendit ky është përfundimi i parë i rëndësishëm. I dyti i rëndësishëm është që të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm të votojnë. Dhe i treti është që Lëvizja Vetëvendosje nuk ka kurrëfarë vote për Listën Serbe asnjë të propozuarit”, ka thënë ai, duke shtuar se opsioni i fundit do të jetë Rashiq.
“Kështu di të zhvillohet seanca mendoj që deputet marrin pjesë prej gjitha partive politike. Kur do të dështojnë të gjitha opsinionet atëherë mbetet i fundit Nenad Rashiq dhe zgjedhja e tij nuk është antikushtetuese. Kështu ka thënë aktgjykimi dhe kështu mendoj që do te ndodh. Sot ma merr mendja që do të përfundojnë të gjitha ju e dini që maksimalisht do te kishte 27 opsione që të votohen derisa të shterren propozimet e Listës Serbe besoj që më së miri është që kuvendi të mos e zgjas dhe të kryhet të gjitha sot”, është shprehur Konjufca.