Konjufca kandidati i VV-së për President: Seanca pritet të mbahet mes orës 7-8
Kurti heq Osmanin, nxjerr Konjufcën për President: Sonte seanca për president
Vjosa Osmani përfundimisht u refuzua nga Vetëvendosje në kërkesën e saj për një mandat të dytë presidencial. Siç raportoi dje Nacionale, sot VV zyrtarisht doli me emrin e Glauk Konjufcës për kandidat për President të Kosovës. Ata fajësuan opozitën për “bllokadë.”
“Në këto rrethana, Lëvizja VETËVENDOSJE!, pas të gjitha përpjekjeve për të arritur marrëveshje, do të propozojë për kandidat për President ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ish-kryetarin e Kuvendit, deputetin e shtatë legjislaturave dhe njeriun e dytë më të votuar në historinë e Republikës sonë, z. Glauk Konjufca”, thanë nga Vetëvendosje.
Partia Demokratike e Kosovës janë deklarura pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të tyre se as kanë votë dhe as qëndrojnë në sallë për kuorum për një kandidat nga radhët e Vetëvendosjes.
Lidhja Demokratike e Kosovës, me ç’kupton gazeta Nacionale, po ashtu nuk do t’i shkojë për kuorum partisë Vetëvendosje në synimin e tyre për të marrë postin e Presidentit.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ishte i ashpër se Vetëvendosja po synon “puç” shtetëror, dhe se qëllimi i tyre është që procesin ta çojnë në Gjykatë Kushtetuese për të zvarritur procesin e shkuarjes në zgjedhje të reja për disa muaj.