Konjufca e kritikon ekipin menaxhues të Asociacionit: S'duhet të udhëhiqet nga një deputete e Serbisë - NACIONALE

Konjufca e kritikon ekipin menaxhues të Asociacionit: S'duhet të udhëhiqet nga një deputete e Serbisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Hapat drejt Asociacionit janë duke u shpeshtuar dhe shpejtuar. Tashmë është themeluar edhe ekipi menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit, i cili nuk është se po i përgjigjet mirë shtetit të Kosovës. Për më shumë, më 2 maj do të realizohet një takim i ri mes Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, dhe Aleksandar Vuçiq, kryeministër i Serbisë.

Në lidhje me ekipin menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit, ka folur edhe kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca. Në një deklaratë për Kosovapress, Konjufca deklaroi se nëse ekipi menaxhues nuk ka qëndrime të Kosovës, por të Serbisë, atëherë nuk është në interes të Kosovës vazhdimi i ekzistencës së ekipit.

“Një institucion i cili e konsideron veten se është i Kosovës duhet të veprojë sipas kushtetutës dhe ligjeve tona dhe interesit tonë shtetëror, nëse një institucion nuk është i Kosovës, në kuptimin e sjelljes së tij mban qëndrime që nuk janë të Kosovës por të Serbisë, nuk mendoj se është interes i Kosovës të vazhdojë më ai institucion.” – vlerësoi ai.

Tutje, Konjufca theksoi se nuk mund të jetë kryesuese e ekipit menaxhues për hartimin e statit të Asociaionit një deputete nga Serbia.

“Një deputete e Kuvendit të Serbisë nuk mund të jetë kryesuese e ekipit menaxhues, si mundet një deputete e Serbisë ta prezantoj Kosovën.” – vazhdoi Konjufca, transmeton Koha.

Ndryshe, Kurti është “ankuar” publikisht për mospërgjigjen e ekipit menaxhues në ftesën për takim nga ana e ministrit Elbert Krasniqi.

“Ministri im i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi i ka ftuar në takim Ekipin menaxhues, por ata nuk janë përgjigjur. Pra, është kjo ministri në kuadër të qeverisë e cila merret për se afërmi me këtë menaxhues për draft-statutin, siç është bërë marrëveshja dikur në Bruksel, e siç është ndryshuar përbërja në qeveri, para se unë të bëhem sërish kryeministër. Por, më datën 2 maj në bazë të tekstit të marrëveshjes se Brukselit, e cila fitoi aneksin e zbatimit në Ohër, çështje urgjente është çështja e të pagjeturve dhe të zhdukurve me dhunë.” – deklaroi Kurti.

Madje, Kurti u pa që nuk ka aq shumë njohuri për këtë temë.

“...ka një vendim të fundit të ish zv. kryeministrit Rakiq nga 25 shtatori 2020 për një ndërrim të përbërjes (të ekipit menaxhues). Mirëpo, kaq di nga ana ime. I përket ekipit menaxhues të shfaqet.” – u shpreh ai.

Ndryshe, anëtarë të Ekipit Menaxhues janë Jelena Boloviq, Danijel Vujiqiq, Igor Kalamar e Dejan Radojkoviq. Por, përveç ekipit menaxhues, ka edhe një komitet që merret me mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit.

Ditë më parë, Bashkimi Evropian njoftoi se është themeluar Komiteti i Përbashkët për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve, e cila tashmë po njihet si “Marrëveshja e Ohrit”. Ky komitet do të kryesohet nga i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak, ndërsa anëtarë janë Agron Bajrami (Kosova), Petar Petkoviq (Serbia).

“Komiteti do të takohet rregullisht në Bruksel. Termat e Referencës pritet të finalizohen dhe miratohen në takimin e parë të Komitetit, i cili do të zhvillohet pas takimit të radhës të dialogut të nivelit të lartë i planifikuar të mbahet në Bruksel të martën më 2 maj.” – thuhej në njoftimin e BE-së.

Më 2 maj, Kurti e Vuçiqi do të takohen në Bruksel.

Lajme të ngjashme