Konfiskimi i pasurisë së Radoiçiqit, Qeveria po krenohet me punën e gjyqësorit që e kritikoi fort
Në 24 orët e fundit pushteti po krenohet me konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurive të të dyshuarit kryesor për sulmin në Basnjka, Milan Radioçici.
Fillimi i zbatimit të ‘urdhrit ndalues’ me masë të përkohshme për pasuritë e paluajtshme në rastin Banjska i ka gëzuar shumë qeveritarët.
Zyrtarët e pushtetit duket se kanë harruar se ky urdhër është lëshuar nga gjyqësori, pushteti që është kritikuar fort nga kryeministri Albin Kurti dhe Ministrja e Drejtësisë Albulene Haxhiu dhe zyrtarët tjerë qeveritarë.
Juristët vendorë kanë bërë me dije se kjo është një punë që është bërë nga prokurorët dhe gjyqtarët.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se kërkesa është bërë nga PSRK.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka deklaruar në këtë proces Agjencia për Sekuestrimin dhe Konfiskimin e Pasurisë është vetëm administratore.
“Kërkesa ushtrohet në këtë rast nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e cila miratohet nga gjykata. Sipas ligjit në momentin që gjykata e miraton kërkesën e prokurorisë, Agjencia për Sekuestrimin dhe Konfiskimin e pasurisë është vetëm administratore e kësaj pasurie deri në vendosjen finale me vendim përfundimtar të gjykatës, e që në këtë rast ende nuk ka vendim final”, ka thënë Miftaraj.
Ndërsa, avokati Ardian Bajraktari ka sqaruar në detaje këtë procedurë.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, Bajraktari ka treguar afatet që kanë të përcaktuara me ligj.
“Urdhri ndalues i përkohshëm, prokurori, brenda 7 dite e përcjell kërkesën tek gjykata, kurse palët mund të ofrojnë dëshmi brenda 15 dite. Me rastin e paraqitjes së kërkesës në gjykatë, urdhri mbetet në fuqi derisa të vendos gjykata. Si rregull këtë urdhër e ekzekuton policia”, ka thënë Bajraktari, duke treguar për urdhrin ndalues përfundimtar.
“Urdhri ndalues përfundimtar, gjykata vendos mbi kërkesë për urdhër ndalues përfundimtar brenda 30 ditësh nga dita e paraqitjes së kërkesës”, është shprehur ai.
Avokati Bajraktari ka bërë me dije se këtë urdhër Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar e ekzekuton brenda 15 dite nga dita e dorëzimit të urdhërit.
Lëvdatat e pushtetit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila njihet si kritikuese e ashpër e gjyqësorit, ka qenë e para që e ka dhënë lajmin për fillimin e zbatimit të Urdhrit Ndalues përfundimtar për pasuritë e paluajtshme në rastin Banjska.
“Ministria e Drejtësisë, përmes zyrtarëve të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, kanë nisur zbatimin e Urdhrit Ndalues përfundimtar me masë të përkohshme, lidhur me pasuritë e paluajtshme në rastin Banjska. Agjencia ka filluar identifikimin e pasurive të përmendura në Urdhrin e sipërpërmendur, duke përfshirë edhe vilën e cila konsiderohej të ketë qenë e kryekriminelit, Milan Radojiçiq tek Liqeni i Ujmanit në Zubin Potok dhe pasuritë e tjera, në përputhje me Ligjin për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, si dhe me Urdhrin e Gjykatës”, ka shkruar Haxhiu në profilin e tij në “Facebook”.
Më pas, ajo ka publikuar edhe listat me pasurisë së konfiskuara.
“Dokumentet më poshtë janë lista të gjata të pasurive të shumta të konfiskuara dhe sekuestruara të një kryekrimineli që vet është bërë milioner ndërkohë që qytetarët e komunitetit serb i ka përdorur përmes frikës, kërcënimit dhe shantazhit. Pra, për vete milioner përmes krimit e qytetarëve terrorin dhe varfërimin. Por, kjo epokë ka marrë fund. Ka ardhë koha që qytetarët të jetojnë të qetë e kriminelët të ndëshkohen”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.
Me këto veprime është krenuar edhe zëvendësministri i Financave, Avni Zogiani.
“Konfiskimi i pasurisë së Radojçiq ka ekspozuar kontrastin e madh mes pasurisë së strukturave të Vuçiq në veri, dhe popullit të zakonshëm serb po aty! Në këtë pikë, nuk dallon shumë as pjesa tjetër e politikës në Kosovë, ku kryesisht gjinden milionerët përballë një populli të varfëruar, vetëm së strukturat në veri kanë qenë edhe represive në ushtrimin e krimit te tyre!”, ka shkruar Zogiani në profilin e tij në “Facebook”.
Kritikat e Qeverisë ndaj gjyqësorit
Kritikat e partisë në pushtet ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve kanë qenë të shumta dhe të ashpra. Valles së këtyre kritikave u ka prirë kryeministri Albin Kurti.
Pikërisht për shkak të Milan Radoiçiqit, në fund të vitit të kaluar, Kurti kishte kritikuar ashpër prokurorët.
Ai ishte shprehur i habitur se pse prokuroria nuk po ngritë ende aktakuzë ndaj autorit të sulmit në Banjskë.
“Nuk e di a e ndani edhe ju me mua habinë se si është e mundur që Milan Radoiçiq e pranon që e ka kryer krimin e nuk ka aktakuzë. Unë besoj se as nuk ka nevojë të kryhet Fakulteti Juridik e as nuk ka nevojë me bë Bachelor, Master apo PhD dhe as nuk ka nevojë me qenë as gjyqtar e prokuror por vetëm arsyeja e shëndoshë normale e qytetarit të Kosovës e identifikon një absurditet të tillë. Informacionin që e ka sjellë AKI-ja, Policia e Kosovës dhe ju si gazetarë në Banjskë është enorm. Ndërkaq shumica e qytetarëve të Kosovës nuk ja dinë emrin prokurorit që merret me rastin e Banjskës në Zveçan”, kishte thënë Kurti.
Kurse, në një interviste në RTK, në fund të muajit mars, shefi i ekzekutivit ishte edhe më brutal ndaj gjyqësorit.
“Drejtësi është kjo?, ia mësyjnë Rozeta Hajdarit. Unë e kam për detyrë publikut t’ja kallxoj të vërtetën. Kjo është e vërteta. Ministrat e Qeverisë tonë ishin të përndjekur. Pakrahasimist më shumë nga prokuroria e Porkurororia Speciale, se krejt ministritë paraprake. Nuk është i rastësishëm edhe insistimi për kryeprokurorin. Unë jam akuzuar kur kam folur kështu sikur sonte.”, ka thënë Kurti.