Konfirmon KQZ: Përfundon numërimi i votave në Qendrat Komunale - NACIONALE

Konfirmon KQZ: Përfundon numërimi i votave në Qendrat Komunale

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ka përfunduar numërimi në Qendrat Komunale të Numërimit, më shumë se dhjetë ditë që prej mbajtjes së zgjedhjeve, ka konfirmuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në një komunikatë për media, KQZ ka thënë se është përmbullur procesi i numërimit dhe verifikimit të votave.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se të premtën në mbrëmje, më 21 shkurt 2025, është përmbyllur procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimit të votave të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime më 9 shkurt 2025.

Në 38 Qendrat Komunale të Numërimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ofruar transparencë të plotë të procesit të numërimit duke prezantuar në ekrane punën e çdo ekipi të numërimit, përfshirë pamjen e fletëvotimeve të plotësuara në vendvotime nga votuesit dhe krijimin e formularëve digjital” - thuhet në njoftim.

Tutje, është përsëritur se janë numëruar gjithsej 2 mijë e 533 vendvotime.

Në uebfaqe, janë publikuar rezultatet nga këto numërime, derisa pritet të përditësohet ende.

“Pas procesit të numërimit dhe verifikimit që është zhvilluar në Qendrat Komunale të Numërimit, KQZ ka publikuar platformën elektronike https://rezultatet2025.net në të cilën janë publikuar rezultatet për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë. Në këtë platform do të publikohen edhe rezultatet nga vendvotimet e mbetura.

Po ashtu, me qëllim të rritjes së transparencës, KQZ ka filluar me publikimin e formularëve të rezultateve për subjektet politike dhe kandidatët nga Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025.

Këta formularë janë plotësuar në Qendra Komunale të Numërimit gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimit të rezultateve të subjekteve politike nga formularët e vendvotimeve.

Publikimi i formularëve nga QKN-të sipas komunave është proces i vazhdueshëm. Pas përfudimit të numërimit, formularët e plotësuar skanohen dhe të njëjtit publikohen gradualisht në ueb faqen e KQZ-së” - thuhet në njoftim.

Në përditësimin e fundit në uebfaqe, shihet se janë procesuar 2 mijë e 433 nga 2 mijë e 533 vendvotime apo 96.05 për qind.

Votat e kandidatëve për deputet mund t’i ndiqni në këtë LINK.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Vetëvendosje ka dalë e para më 342 mijë e 281 vota, apo 40.80 për qind.

Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 184 mijë e 811 vota apo 22.03 për qind. LDK ka dalë e treta më 147 mijë e 888 vota ose 17.63 për qind.

Koalicioni AAK-Nisma ka dalë e katërta në këto zgjedhje me 62 mijë vota.

Lajme të ngjashme