Komunikata e QUINT: Thirrja për Listën Serbe dhe një kërkesë për Qeverinë e Kosovës - NACIONALE

Komunikata e QUINT: Thirrja për Listën Serbe dhe një kërkesë për Qeverinë e Kosovës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e QUINT-it mbrëmë dolën me një komunikatë për media.

Aty kërkuan nga Lista Serbe të marrë pjesë në votimin për largimin e kryetarëve që është paraparë me datën 21 prill.

“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e BE-së në Kosovë pranojnë se, në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova do të mbajë votimet për tërheqjen e kryetarëve më 21 prill në katër komunat në veri të Kosovës. Në këto votime vijnë si rezultat i përpjekjeve të suksesshme nismëtare të bëra nga qytetarët brenda kuadrit ligjor ekzistues dhe të vërtetuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, thuhet në nisje të komunikatës.

Ata kanë shprehur keqardhje për thirrjet që bëhen që ky proces të bojkotohet.

“Na vjen keq për deklaratat e Listës Srpska dhe aktorëve të tjerë politikë serbë të Kosovës që bëjnë thirrje për tërheqje nga pjesëmarrja në këtë votim për tërheqjen e kryebashkiakut. Pjesëmarrja demokratike është thelbësore për të siguruar që institucionet e zgjedhura të jenë përfaqësuese të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike”, thuhet më tutje.

Sipas shteteve të QUINT-it, bojkotimi i këtyre votimeve nuk sjell asnjë rezultat pozitiv për serbët e Kosovës.

“Ne e pranojmë se zgjedhjet e 23 prillit 2023 nuk dhanë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna dhe se qeverisja përfaqësuese në veri do të rikthehet kur të mbahen zgjedhjet për kryetarë komunash me pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve. Mirëpo, bojkotimi i votimit të 21 prillit nuk do të sjellë këtë rezultat dhe as nuk do të sjellë ndonjë përfitim për qytetarët që jetojnë në veri. Prandaj, i bëjmë thirrje Listës Srpska dhe të gjithë të tjerëve që kanë bërë thirrje për tërheqje, të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre dhe të përdorin plotësisht mjetet demokratike në dispozicion për të avancuar demokracinë efektive dhe përfaqësuese”, theksohet në komunikatë.

Por, në këtë reagim, QUINT-i ka bërë një kërkesë edhe për qeverinë e Kosovës.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të jetë e përgjegjshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj dhe të veprojë me profesionalizëm gjatë gjithë këtij procesi. Ftojmë të gjitha palët e interesuara që të veprojnë në atë mënyrë që të gjithë qytetarët që kanë të drejtë vote në veri të Kosovës të kenë mundësi të marrin pjesë”, përfundon komunikata.

Çfarë tha Lista Serbe?

Referendumi i caktuar për datën 21 prill ku do të votohet për largimin e kryetarëve shqiptarë nga komunat veriore të Kosovës, duket se mund të dështojë.

Është Lista Serbe e cila me një konferencë për media ditën e sotme, ka zgjedhur ta bëjë ‘filmin’ e radhës. Kjo duke mos përkrahur referendumin, ani pse largimi i kryetarëve shqiptarë ka qenë kërkesë thelbësore e tyre.

Në këtë konferencë, kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, deklaroi se fajtori kryesor për këtë situate është kryeministri, Albin Kurti.

Elek theksoi gjithashtu se janë planifikuar procedura të pamundura për votimin për zëvendësimin e kryetarit të bashkisë më 21 prill. Të dhënat thonë se në veri janë 46.248 votues dhe sipas udhëzimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhet të dalin 50 për qind e votuesve plus një votë.

“Në disa raste, gjatë takimeve me përfaqësuesit e rajonit të Quintit dhe ambasadorët, kemi paralajmëruar se këto të dhëna nuk janë të sakta dhe se nuk e ruajnë gjendjen e vërtetë në terren, sepse në muajt e fundit, më shumë se 15 për qind e njerëzve nga veriu i Kosovës janë shpërngulur, për fat të keq nuk kemi hasur në mirëkuptim”, tha Elek.

Ai gjithashtu theksoi se listat e votuesve nuk pasqyrojnë gjendjen reale në terren. Kohët e fundit, Elek ka thënë se është rritur numri i shqiptarëve nëpër lista zgjedhore. Megjithatë, për këtë, ai nuk dha asnjë provë.

“Është e palogjikshme që kanë lënë të përditësohet lista zgjedhore për një ditë pas vendimeve të Kolegjit të Apelit të Kosovës se a do të pranohen ankesat individuale, ndërsa peticionin tonë e kanë kontrolluar për 45 ditë. Imagjinoni bashkëqytetarët tanë të vjetër që nuk jetojnë këtu dhe kush do të aplikojë online, duhet të jenë kaq të arsimuar në kompjuter, ndoshta edhe më shumë se ne, që të kenë sukses të aplikojnë. Ja ku humbasim një numër të caktuar votuesish", tha Elek.

Eleku tha gjithashtu se një numër i madh i politikanëve shqiptarë dyshojnë nëse referendumi është një çështje e rregullt.

Ai po ashtu ka theksuar se nuk ka parë asnjëherë votim me kamera në referendum.

"Unë nuk kam parë që të mbahet ndonjë referendum në prani të kamerave. Propozimi është që referendumi të mbahet në shkollat ​​që janë pjesë e sistemit arsimor serb. Shqiptarët duan që të vendosen kamera në çdo klasë dhe korridor, prandaj huazuan një numër të caktuar kamerash nga KQZ-ja në Shqipëri, me të drejtë populli shtron pyetjen se çfarë do të bëjnë kamerat në qendrat e votimit, nëse kemi komisione zgjedhore dhe kaq shumë kontroll dhe tani duhen më shumë kamera”, tha Elek.

Elek ka bërë një ‘film’ tjetër duke theksuar se kamerat do të vendosen në mënyrë që serbët që marrin pjesë në këto votime sipas tij, më pas të keqtrajtohen nga institucionet.

Ai është veçanërisht i shqetësuar se qytetarët në Leposaviq po kërcënohen me refuzim të përfitimeve sociale dhe pensioneve nga autoritetet.

“Kamerat vendosen për vetëm për presion e keqtrajtime”, tha ai.

Lajme të ngjashme