Hekuran Murati ua ka bllokuar buxhetin komunave kosovare, ASK kërkon lëshim urgjent të qarkores së dytë buxhetore - NACIONALE

Hekuran Murati ua ka bllokuar buxhetin komunave kosovare, ASK kërkon lëshim urgjent të qarkores së dytë buxhetore

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Pak kohë pas publikimit të lajmit nga Gazeta Nacionale, erdhi edhe konfirmimi zyrtar i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Përmes një komunikate të publikuar para pak çastesh, AKK ka bërë të ditur se komunat kosovare rrezikojnë të mbesin pa buxhet.

Kjo pasi, Ministria e Financave dhe Transfereve nuk e ka lëshuar qarkoren e II buxhetore.

“KOMUNAT RREZIKOJNË TË MBESIN PA BUXHET

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës kërkon urgjentisht nga Ministri i Ministrisë së Financave dhe Transfereve që të lëshojë Qarkoren e dytë Buxhetore.

Lëshimi i kësaj Qarkoreje u mundëson Komunave të Republikës së Kosovës që të fillojnë procesin final të planifikimit buxhetor”, thuhet fillimisht në këtë njoftim.

Tutje shpaloset frika që nëse një gjë e tillë nuk ndodh, mosdorëzimi i buxhetit më datën 1 shtator u kushton komunave me humbje të pikëve në Raportin e Performancës, respektivisht penalizohen nga përfitimet financiare nga Granti i Performancës.

“Si proces është shumë i vonuar dhe i rrezikon Komunat që mos të kenë mundësi teknike që ta dorëzojnë buxhetin me kohë pranë Kuvendeve të Komunave, me saktesisht me datën 1 Shtator që është obligim ligjor që buxheti t'i dorëzohet Kuvendit të Komunës.

Pa Qarkoren e Dytë Buxhetore, Komunat nuk i dijnë as kufijtë përfundimtar buxhetor si organizata buxhetore dhe kjo pamundëson direkt dorëzimin e Buxhetin në Kuvendin e Komunës.

Poashtu, mos dorëzimi i buxhetit me datën 1 Shtator i kushton komunave me humbje të pikëve në Raportin e Performancës dhe si i tillë i penalizon komunat nga përfitimet financiare nga Granti i Performancës”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

Sipas një burimi të Nacionales, e gjithë përgjegjësia mbi ministrin Murati, që deri më tani raporohet të jetë treguar neglizhent.

Kujtojmë gjithashtu se raporti mes ekzekutivit dhe këtij asociacioni nuk ka qenë në elementin më të mirë të mundshëm.

Shpeshherë komunat kanë kritikuar qeverinë dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për mospërfillje, sidomos në planifikim në çështje të rëndësishme.

Deri më tani, ministri respektiv, pra Hekuran Murati, nuk ka bërë ndonjë reagim publik rreth akuzave të Asociacionit të Komunave të Kosovës, që udhëhiqet nga kreu i Lipjanit, Agim Aliu.

Ditëve në vijim, ashtu si zakonisht, Nacionale do t’i kushtojë rëndësi kësaj çështjeje.

Lajme të ngjashme