Komunat e Kosovës dembele dhe borxhlike – rrezikohet falimentimi i tyre
Banorët e katër fshatrave të Rahovecit duhet t’i kishin rrugët e shtruara për 140 ditë. Fshatarëve të Xërxës, Ceinës, Senocit dhe Mrasorit, s’ua mbajtën fjalën komunarët e tyre, ani pse e kishin hedhur nënshkrimin me kompani private për t’i asfaltuar ato rrugë brenda 140 ditësh. Kompanive të përzgjedhura do t’u duheshin 900 ditë për t’i dalë në krye nënshkrimit të kontratës.
Komuna e Rahovecit dembele është kallëzuar edhe në projekte tjera.
Mendohej që bujqit rahovecianë të kishin një rrjet të kullimit për ujitje të tokave bujqësore brenda 610 ditësh. Mirëpo rrjeti kullimit ujë do t’u sillte vreshtave vetëm pas 1900 ditësh, pasi kompania vonoi punimet për rreth tri vjet më shumë. Tri vjet u vonuan edhe punimet për një memorial në Rahovec dhe që planifikohej për më pak se dy vjet.
As homologët e Komunës së Rahovecit nuk janë më mirë.
Komunat e Kosovës vazhdojnë të vonojnë tmerrësisht shumë realizimin e projekteve të investimeve kapitale. Bile raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) kanë shpalosur të dhëna që tregojnë se Komunat e Kosovës kanë vështirësi të vazhdueshme në “arritjen e standardeve të dëshiruara, në procesin e investimeve publike, shpenzimeve të buxhetit, alokimit të të hyrave vetanake dhe menaxhimit të pronave publike”.
ZKA-ja ka këqyrur 25 projekte të 12 komunave përgjatë viteve 2019-2022 dhe të gjeturat tregojnë se asnjë projekt i investimeve kapitale të këtyre komunave nuk ka përfunduar në afatin e paraparë.
“Asnjë projekt i audituar në sferën e investimeve publike, nuk ka përfunduar brenda afatit të paraparë me kontratë për ekzekutimin e punimeve’’ – thuhet në raportin e publikuar nga Instituti GAP të titulluar ‘‘Sfidat e Komunave në menaxhimin investimeve, shpenzimeve, të hyrave dhe pronave” dhe që ndërlidhet me të dhënat e ZKA-së.
Ka raste kur projekte të investimeve kapitale kanë nisur në vitin 2013 dhe nuk kanë përfunduar ende. Por, edhe projektet që kanë përfunduar tashmë nuk i kanë qëndruar afatit kohor dhe gati në secilën prej tyre ka pasur vonesa.
‘‘Projekte që janë planifikuar të zgjasin 140 ditë kanë bërë 900 ditë apo akoma nuk kanë përfunduar, ndërsa projektet e planifikuara që të zgjasin mesatarisht tre muaj janë zvarritur deri në katër vite’’.
Bekim Salihu, analist i politikave të qeverisjes lokale, që është marrë me monitorimin e komunave për disa vite dhe që ka punuar në përpilimin e raportit të GAP, thotë se asnjë nga komunat e Kosovës ‘‘s’mund të konsiderohet që paraqet shembull të kundërt të të gjeturat e raporteve të auditimit të ZKA-së’’.
Janë disa arsye që i bëjnë komunat të mos i realizojnë projektet me kohë. Komunarët nuk bëjnë planifikim të duhur të projektit investues. Pastaj nënshkruajnë për realizimin e projekteve por s’i qesin të gjitha mjetet financiare të nevojshme për realizimin e projektit.
Arsye tjetër janë ngatërresat që komunat kanë me qytetarët, ngatërresa këto që përfundojnë nëpër procese të gjata gjyqësore.
Një aspekt tjetër që vërehet nga raportet është se komunat përzgjedhin kompani private për t’i kryer punët, por që ato nuk janë të zonjat për t’i dalë në krye zotimeve. Kompanitë kanë mungesa të kapaciteteve teknike (mjeteve të nevojshme për punë), por kompanitë private nuk kanë as njerëzit me përgatitjen e duhur profesonale për t’i kryer këto punë publike. Përkundër këtyre mangësive, komunave nuk u kryhen me kohë, pasi kompani të njëjta angazhohen në disa projekte dhe ato nuk i kanë kapacitetet t’i mbulojnë gjithë ato projekte.
Borxhli deri në fyt
Operatorët ekonomikë të kontraktuar për kryerjen e punëve u dërgojnë faturat komunave dhe, edhe janë vonuar me vite punimet, komunat janë të obliguara ligjërisht që brenda një afati të caktuar kohor t’i paguajnë privatët. Borxhet që komunat e Kosovës kanë ndaj kompanive private janë rritur dukshëm viteve të fundit. Komunat kanë borxhe edhe karshi personave fizikë.
Komunat kanë afat prej 60 ditësh pasi pranojnë faturat për t’i paguar ato. Në rast se nuk paguhen brenda kësaj periudhe kohore, kompanitë private kanë të drejt të ankesës në Thesar dhe nëse ankesa vërtetohet Thesari i merr ato mjete financiare prej komunave dhe i paguan operatorët privatë ekomonikë.
Komunat po ashtu mund të paditen nëpër gjykata për borxhet e papaguara. Komunat mund të dënohen edhe me gjoba, apo kamata për vonesat në pagesën e faturave.
Mbi 91 milionë euro janë borxhet që komunat kanë ndaj kompanive e kosovarëve. Për çdo vit, borxhet e komunave janë duke u rritur. Bazuar në vendimet e gjykatave Thesari ka marrë nga buxheti i komunave në vitin 2019 mbi 18 milionë euro. Bile, komunat do të duhet të paguajnë mbi 2 milionë euro shtesë karshi përmbaruesve privat.
Kjo po shihet si veprim që mund të rrezikojë stabilitetin financiar të komunave dhe rrezikon projektet e ardhshme të investimeve kapitale.
“Të gjitha komunat e Kosovës, brenda një viti (2020) kanë në dispozicion rreth 153 milionë euro për investime kapitale, ndërsa vlera e obligimeve kontingjente deri në fillim të 2021 tejkalon 91 milionë euro” – thuhet në raportin e GAP-it.
“Vetëm Komuna e Prishtinës, gjatë këtyre dy viteve, ka paguar 696,887 euro si interes për gjykatat dhe përmbaruesit që kanë ekzekutuar mjete nga buxheti i Komunës së Prishtinës. Komuna e Malishevës ka paguar interes 225,483 euro, që paraqet gjysmën e vlerës që kjo komunë realizon në vit nga të hyrat e tatimit në pronë” – janë të gjeturat e raportit të Institutit GAP.
Më mirë e pa borxhe me kamata nuk janë as komunat tjera.
Bekim Salihu thotë se kjo po dëmton jashtëzakonisht shumë performancën e komunave dhe efikasitetin e punimeve e investimeve. Pastaj veprime të tilla të komunave po rrezikojnë ecurinë e buxheteve komunale. Kjo po ashtu, sipas tij, ka ulur besimin e qytetarëve karshi projekteve të investimeve kapitale të komunave. Por, më e rëndësishmja, dembelia, papërgjegjshmëria dhe mosplanifikimi i duhur i komunave, mund të rrezikojnë edhe dështimin e projekteve kapitale që veçse kanë nisur.
Në anën tjetër, Sazan Ibrahimi, Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, thotë për Nacionale se komunat e Kosovës potencialisht do të mund të rrezikohen edhe nga një problem tjetër për realizimin e projekteve të nisura vitin e kaluar.
“Tashmë kemi marrë ankesa nga kryetarët e komunave se rritja e çmimeve [të materialit ndërtimor] potencialisht mund të shtyjë projektet e nisura”, thotë ai. Sipas tij, këto shqetësime i kanë ngritur kryetarët e komunave pas bisedave me pronarë të kompanive të angazhuara në realizimin e projekteve publike.
Po ashtu, një barrë e madhe që u shtohet komunave janë edhe borxhet që qytetarët kanë karshi tyre dhe që mbërrijnë shifrën prej mbi 200 milion eurosh.
Sidoqoftë, Instituti GAP ka renditur një mori rekomandimesh për komunat.
Fillimisht, komunat duhet të kujdesen që ekzekutimi i pagesave ndaj kompanive private të bëhet në përputhje me afatet ligjore. Pastaj fton Ministrinë e Financave që ‘‘në rastet e ekzekutimit të mjeteve nga buxheti i komunave përmes Thesarit, duhet të lëshojë një njoftim paraparak për komunat përkatëse, me qëllim që komunat të bëjnë ridestinimin e mjeteve sipas planifikimeve dhe prioriteteve paraprake’’.
Që komunat të mos nisin investime publike pa i zgjidhur të gjitha dilemat dhe kontestet pronësore. Gap fton komunat që kompanitë që përzgjedhen për të kryer punë publike të kenë kapacitetet e duhura profesionale dhe teknike për kryerjen e atyre punëve, si dhe të sigurohen që projektet të kryhen në afatet e duhura kohore.
Më e rëndësishmja, komunat duhet të bëjnë planifikimet e duhura buxhetore te pjesa e investimeve publike me qëllim që mos të nisin investimet pa zotim të plotë të mjeteve.