Kompletohet kthimi i Osmanit në LDK, edhe si prijëse e listës: Votohet “unanimisht” nga Këshilli i Përgjithshëm
E përditësuar: Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka konfirmuar se propozimi që Vjosa Osmani t’i prijë listës, është votuar unanimisht nga kjo parti.
“Në unanimitet të plotë, LDK votoi propozimin dhe vendimin e kryesisë që në garën e ardhshme Vjosa Osmani të jetë kandidate për presidente, unë për kryeministër, dhe t’i kemi 110 kandidatë për deputet.
Është një momentum historik për LDK-në, t’i afrojmë të gjithë pavarësisht dallimeve që mund t’i kemi…”, ka thënë ai.
Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka votuar unanimisht që Vjosa Osmani t’i prijë listës së kësaj partie në zgjedhjet e 7 qershorit.
Nacionale mëson se kthimi i Osmanit tashmë është kompletuar, derisa paraprakisht në një fjalim kreu i partisë, Lumir Abdixhiku konfirmoi se ajo është propozuar edhe si kandidate për presidente.
“Po bashkohemi rreth LDK-së, po e bashkojmë energjinë tone politike, në një listë të përbashkët garuese. Këtë të martë në takimin e kryesisë qendrore dhe kryetarëve të degëve kam shtruar propozimin për një listë bashkuese.
Me këtë propozim kam propozuar garim të përbashkët për president dhe kryeministër. Kam propozuar që LDK-së të garojë me Vjosa Osmanin si candidate për presidente të Republikës, dhe njëkohësisht bartëse të listës sonë zgjedhore, dhe me mua, kryetarin e LDK-së, si kandidat për kryeministër”, ka thënë Abdixhiku.
Burime të Nacionales kanë bërë me dije se dy zyrtarët e kësaj partie, Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti nuk kanë qenë pjesë e mbledhjes.